Finlanda vazhdon mbështetjen e pylltarisë në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi ka pritur të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Finlandës në Kosovë, Anne Meskanen.

Lajme

05/02/2015 16:41

Në takim, ministri Krasniqi prezantoi projektet zhvillimore, që do të përfshihen në programin për bujqësi dhe zhvillim rural për këtë vit, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të sektorëve që mbulon kjo ministri. 

Krasniqi po ashtu njoftoi ambasadoren për të arriturat e deritashme në këtë sektor, duke theksuar se në këtë kanë ndikuar shumë edhe projektet e financuara nga Finlanda, siç është projekti “Mbështetje Zbatimit të Politikave dhe Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë”, projekt ky i fokusuar në zbatimin e strategjisë së miratuar për zhvillimin e pylltarisë në Kosovë për periudhën 2010 – 2020.

Ky projekt, sipas tij, e ka ndihmuar zbatimin e aktiviteteve në kuadër të shtyllës së parë dhe asaj të tretë të strategjisë së pylltarisë. Ministri Krasniqi tha se ky projekt do të vazhdojë me fazën e dytë edhe për dy vjetët e ardhshëm dhe MBPZHR-ja do t’i kushtojë rëndësi këtij projekti dhe premtoi thellim të bashkëpunimit.

Ambasadorja Meskanen rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, e në veçanti në pylltari. Duke konfirmuar vazhdimin e projektit për fuqizimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë, ajo shprehi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit, njofton MBPZHR-ja.