Financuesit e PDK-së marrin tender te Shpendi

Një dosje me keqpërdorime të pretenduara Lëvizja Vetëvendosje e Malishevës e kishte dorëzuar në Prokurori dhe në Agjencinë kundër Korrupsionit në fund të vitit 2012. Sipas këtij subjekti, në këtë komunë prej disa kohësh janë kompanitë që financojnë PDK-në që i fitojnë tenderët. 

Lajme

23/11/2014 09:05

Por, tash kur erdh në pushtet në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje po detyrohet t’u japë vetë tenderë atyre kompanive për të kryer punë të infrastrukturës në kryeqytet.

Në mesin e rreth njëzet kompanive që u dërguan në organet e drejtësisë, në mesin e tyre ishin dhe kompanitë ‘Jehona’ e ‘Shkoza F07’. Të dy këto firma morën nga një tender në Komunën e Prishtinas. “Shkoza F07” , sipas VV-së ka fituar 5 tenderë në Malishevë në vlerë 714 mijë e 806 eurosh kundrejt vlerës prej 3 mijë e 500 eurove që ka dhënë si financim për PDK-në.

Por, rreth gjysmë milioni euro, kjo firmë do të përfitojë nga Prishtina për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Sinidoll-Bërnicë e Epërme-Bardhosh -faza e parë.

Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës është caktuar më 1 dhjetor, e në garë për këtë tender kanë qenë 21 kompani. Vlera e kontratës është fiks 493,999.38 euro. Autoritete të Lëvizjes Vetëvendosje që janë në udhëheqje të Komunës së Prishtinës, thonë se për të fituar tender në Komunë nuk është me rendësi e kujt është, mjafton të jetë në rregull me Ligjin e Prokurimit Publik, shkruan sot Tribuna.