Finalja e Superbowl; Ku një reklamë kushton 5 milionë dollarë

Magjia e Superbowl nuk është vetëm loja në fushë por edhe e gjithë garnitura para, në mes dhe në fund të finales.

Sport

02/02/2018 10:03

Finalja e madhe e Superbowl për këtë vit ka nisur të zgjojë prej javësh kërshërinë e tifozëve se kush mes New England Patriots dhe Philadelphia Eagles, do të jetë kampioni i ri në futbollin amerikan. Do të jenë këto dy skuadra që do diskutojnë titullin, protagoniste të një ndeshjeje që kalon kufijtë amerikanë pasi përbën në vetvete një spektakël që nuk duhet humbur.

New England Patriots kanë luajtur plot 9 herë një ndeshje të këtyre përmasave duke e fituar Superbowl 5 herë. Në kampin tjetër Shqiponjat e Filadelfias numërojnë pjesëmarrjen e tretë në finale, por asnjë triumf në muzeun e tyre. Marka nga Pensilvania është një prej 13 skuadrave të NFL që nuk i ka gëzuar kurrë tifozët me një sukses të tillë.

5 fitoret e Patriots mbajnë të gjithë firmën e superyllit të skuadrës Tom Bred që nga triumfi i parë në vitin 2001 që regjistroi një dinasti të lavdishme në sportin kaq të dashur për amerikanët. Ylli në kampin tjetër quhet Nik Fols që nuk ka luajtur kurrë më parë në një Super Boul por edhe pse askush nuk besonte te ai, ngjiti shkallët nga rezerva deri në inspirimin e Shqiponjave, transmeton “Top Channel”.

Magjia e Superbowl nuk është vetëm loja në fushë por edhe e gjithë garnitura para, në mes dhe në fund të finales.

Shou në pushimin mes pjesëve do të ketë protagonist këngëtarin Justin Timberlake. Ai do të mbahet mend për surprizën që i bëri Xhenet Xhekson duke i grisur kostumin, motiv për të cilin ky event transmetohet edhe sot me disa sekonda vonesë, për të evituar shfaqje të tilla. Një spot prej 30 sekondash do të kushtojë plot 5 milionë Dollarë, çka përbën një shifër superiore nga sa fiton në një vit, një trajner elitar në NFL. Dhe gjithë ky shpenzim për vetëm pak caste famë, të dielën e 4 Shkurtit, live nga Bank Stadium në Mineapolis.