Finalet, të rënët dhe të promovuarit: Kjo është Liga e Kombeve

Liga e Kombeve, të martën mëson emrat e fundit të kombëtareve që do të luajnë në “Final Four”, nga katër ligat (A,B,C,D).

Sport

19/11/2018 10:14

Në këtë kompeticion garon edhe kombëtarja e Kosovës, e cila paraqitet në Ligën D. Gjithashtu kombëtarja e Shqipërisë luan në Ligën C (nga sezoni tjetër në D), shkruan lajmi.net.

Më poshtë keni një pasqyrë që tregon ecurinë e Ligës së Kombeve deri më tani:

LIGA A:

Holanda, me një barazim në Gelsenkirchen, sonte nga ora 20:45, do të bëhej skuadra e katërt nga Liga A, që luan në finalet e Ligës së Kombeve. Ajo do të bashkohej me Portugalinë, Anglinë dhe Zvicrën. Një humbje ndaj Gjermanisë do t’i siguronte kalimin tutje Francës.

Të rënët në ligën B, janë tashmë të ditur: Gjermania, Islanda, Polonia dhe Kroacia.

LIGA B:

Vetëm edhe një vend ka mbetur pa plotësuar në Ligën B. Ky do të vendoset në Stockholm, në ndeshjen ndërmjet Suedisë dhe Rusisë. Barazimi do t’i shkonte në favor rusëve. Ukraina, Bosnja dhe Danimarka janë kombëtaret që kanë siguruar kalimin tutje.

Turqia, Irlanda Veriore dhe Irlanda janë kombëtaret që kanë rënë në Ligën C. Skuadra e fundit që pëson rënie vendoset në ndeshjen Çeki – Sllovaki. Barazimi favorizon çekët.

LIGA C:

Liga C është ndër më interesantet aktualisht. Vetëm Finlanda ka siguruar kalimin tutje. Dueli në Glasgow, ndërmjet Skocisë dhe Izraelit vendos edhe për një skuadër tjetër. Barazimi favorizon izraelitët. Vendi tjetër është në kontest midis Norvegjisë dhe Bullgarisë, ku të dy skuadrat luajnë për gol diferencë kundër Qipros dhe Sllovenisë. Kurse, Serbia, me fitore kundër Lituanisë do të kalonte tutje.

Estonia, Sllovenia dhe Lituania janë skuadrat që kanë rënë në Ligën D ( dhe vendi i 3-të më i dobët që është Mali i Zi momentalisht mbanë një pozitë).

LIGA D:

Gjeorgjia dhe Bjellorusia janë dy skuadrat që kanë siguruar biletat për kalimin tutje. Kosova – Azerbajxhani është ndeshja që vendos edhe një vend. Barazimi favorizon „Dardanët“. Gjithashtu Maqedonia mjaftohet me një barazim kundër Gjibraltarit për të kompletuar katërshen. /Lajmi.net/