Filmi ‘Lufta e Ftohtë’ e Pawel Pawlikowskit

Rrëfimi për dashurinë dhe vdekjen. Në këtë film, ka shumë qiell të zymtë, ka shumë tokë të mërdhirë, ka shumë njerëz që heshtin, ka shumë mërzi e pikëllim dhe ka shumë dashuri.

Lajme

28/01/2019 12:00

Filmi ‘Lufta e Ftohtë’ (‘Zimna wojna’, në origjinal), i regjisorit polak Pawel Pawlikowski, është një film për një këngë të pikëllueshme – ‘Dwa serduszka’ (‘Dy zemra’), për një dashuri të pashpresë, për një mashkull dhe një femër që nuk mundtë jetojnë njeri pa tjetrin dhe nuk mund të jetojnë njeri me tjetrin, dhe i gjithë ky rrëfim përmbledh pesëmbëdhjetë vjet jetë dhe histori në Poloninë dhe Evropën e mbërthyer nga acari politik i Luftës së Ftohtë  (të përplasjes së madhe në mes të Demokracisë dhe Komunizmit), në më pak se 90 minuta,të një vepre artistike që mbahet në mend gjatë.

Pawlikowski për ‘Zimna wojna’ mori Palmën e Artë në Festivalin e vitit të kaluar në Cannes. Ky film është në rrethin e ngushtë për Çmimin e Akademisë Amerikane për filmin më të mirë në gjuhën e huaj për vitin 2018.Pawlikowski, me filmin e tij të mëparshëm ‘Ida’, tashmë ka fituar Oscar në këtë kategori.

Ai ia dedikoi këtë film prindërve të tij, të cilët njëlloj si Wiktori (Tomasz Kot) dhe Zula (Joanna Kulig), kryeprotagonistët e ‘Zimna wojna’, kanë pasur lidhje shumë të veçantë, me shumë dashuri dhe me kundërthënie.

Rrëfimi në këtë film nis në dimrin e vitit 1949, në Poloni, kur Wiktor dhe Irena (Agata Kulesza) udhëtojnë së bashku në të katër anët e vendit të tyre të shkretuar nga lufta e përfunduar pak vjet më parë dhe nga regjimi komunist i ardhur nga Bashkimi Sovjetik, për të mbledhur këngë të folklorit polak, me synim të krijimit të një ansambli popullor.

Këngët këtu interpretohen në variantin burimor, origjinal, të vrazhdë, pa produksion të veçantë, nga burrat, gratë, fëmijët, të cilët me pamjen dhe fytyrat e tyre, me zërin e tyre, me vullnetin për të kënduar, janë dëshmi e mbijetesës, në rrethanat më të rënda të mundshme.

Këto pamje të filmit të kthejnë ngapak te neorealizmi italian.

Wiktor njihet me Zulan (e cila kishte sulmuar me thikë babanë e saj, sepse ai ishte munduar ta përdhunonte) në një pallat të vjetër, të lënë në harresë, me gjasë të aristokracisë së zhdukur polake, ku bëhet përzgjedhja finale e atyre që do të bëhen pjesë e këtij ansambli.

Wiktor dashurohet në shikim të parë në Zulan, sepse ajo ka në vete jetë, gjallëri, bukuri, tipare këto që ishin shumë të rralla në atë kohë.

Zula ishte ndryshe prej të gjithë të tjerëve me të cilët takohej dhe bisedonte Wiktor.

Pas koncertit të parë të suksesshëm të ansamblit ‘Mazurek’ – siç do të pagëzohet ai – pushteti komunist i detyron Wiktorin dhe Irenën që në repertorin e tyre të përfshijnë edhe këngë për Stalinin dhe ‘fitoret e shumta të komunizmit’.

Wiktor pranon ta bëjë këtë gjë, Irena jo, dhe ajo largohet nga ansambli.

Këtu Wiktor tregohet si një njeri që nuk dëshiron të luftojë për asgjë dhe me askë, për asnjë qëndrim apo parim.

Sidoqoftë, Wiktor dhe Zula e nisin dashurinë e tyre, pas këtij koncerti të parë.

Zula,pastaj, i rrëfehet Wiktorit që kjo e kishte për detyrë ta përcillte atë dhe t’i raportonte zyrtarit të regjimit për të gjitha sjelljet dhe veprimet e tij. Pasi e thotë këtë, ajo hidhet në lumë. Ne mendojmë që ajo vret veten, por në të vërtetëajo shtrihet mbi lumë dhe vazhdon të këndojë.

Wiktor ia fal. Nuk mundet ndryshe.

Kur ‘Mazurek’ shkon në Berlinin Lindor për të dhënë koncert, Wiktor bën planin që së bashku me Zulën të ikë nga Polonia dhe komunizmi, duke dalë në anën perëndimore të Berlinit, dhe për të shkuar më pas në Paris.

Zula, megjithatë, në fund nuk i bashkohet Wiktorit, sepse është plotë dyshime se çka do të mund të bënte në Francë – për ku ia kishte mësyrë Wiktor, i cili ishte një pianist shumë i mirë.

Pastaj, ne përcjellim këtë rrëfim dashurie, i cili në një çast duket që do të ketë përmbyllje të lumtur, kur këta të dy bashkohen në Paris: Ky si jazz-pianist, e ajo si këngëtare.

Në Paris ka shumë zhurmë, gjallëri, tym duhani dhe pije, ka muzikë dhe argëtim, ka gjithçka që nuk ka në Poloni.

Megjithatë, ambienti i lirisë së Parisit nuk i bën mirë kësaj dashurie, që kishte lëshuar rrënjë një ato rrethanat e vështira polake.

Zula, e cila ishte larguar nga Polonia legalisht, duke u martuar me një italian, edhe pse duket që para saj është një karrierë e suksesshme muzikore, vendos të kthehet në Poloni dhe të ikë nga Wiktor, i cili tash për të ishte disi i huaj, në një vend të huaj.

Në Paris, ajo e kishte fituar fatin, lirinë, paranë dhe karierën, por e kishte humbur Wiktorin. Asaj nuk i duhej gjë, pa Wiktorin.

Wiktor vendosë t’i shkojë pas, edhe pse e di mirë që do të dënohet me burg, si dikush që kishte ikur nga Polonia komuniste. Ai dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar në një llogor.

Zula e viziton atë në këtë llogor dhe i premton se do të bëj çmos për ta liruar.

Ajo kështu martohet me një zyrtar komunist, nën përkujdesjen e të cilit ishte ansambli ‘Mazurek’, dhebën fëmijë me të, vetëm e vetëm për ta kthyer në liri Wiktorin.

Mbase, kjo është një sakrificë që i rri afër asaj kur vdes për një dashuri.

Në njërën nga skenat e veçanta të këtij filmi të jashtëzakonshëm, pas një koncerti, Zula sërish bashkohet me Wiktorin, heq parukën e zezë që kishte(ose,heq dorë nga ky ‘identiteti’ i ri që kishte krijuar me këtë martesën e imponuar), del para tij (dhe para nesh) sërish si bionde dhe i përgjërohet me fjalët: ‘Më merr. Kësaj radhe përgjithmonë’.

Diku fare në fillim të filmit, kemi tablonë kur ky zyrtari komunist viziton një kishë pothuaj të rrënuar katolike. Këtë kishë me siguri e kishte rrënuar lufta, dhe nuk e kishte ndreq paqja.

Ai hyn në oborrin e saj, sheh në mur sytë e mbetur të një ikone që është gati e shlyer dhe shikon kah qielli, që depërton ngadalë kah kupola e munguar e kishës.

Për të, kjo kishë është vetëm një gërmadhë, dhe qielli tashmë është i desakralizuar, pa Zot, pa ndonjë rëndësi të posaçme.

Toka doli ngadhënjimtare ndaj Qiellit. Njeriu ndaj Zotit.

Ky, si zyrtar i një regjimi dhe komunizmi si ideologji,tash është qendra e Botës.

Në fund të filmit, Wiktor dhe Zula shkojnë pikërisht te kjo kishë, për t’u martuar.

Dëshmitar nuk kanë njeri të gjallë. Pos syve të asaj ikonës në murin e kishës, dhe Qiellin atje lart, ku për Zulën tutje ka Zot, sepse ajo është besimtare.

Wiktor beson në Zulën. Kaq mjafton në këtë rast.

Në një rit të rëndomtë fetar martesor, Wiktor dhe Zula i betohen njeri-tjetrit për besnikëri deri në vdekje.

Zula i drejtohet pastaj me fjalët: ‘Tash jam e jotja, përgjithmonë…’.

Te dytë pinë një grumbull zgjumësish, për ta mbytur veten ngadalë, dhe për t’u bashkuar, pas vdekjes. Përjetësisht.

Të tillë nuk arritën të jenë këndejpari, në këtë Botë, as në Poloni, as në Francë, askund.

Filmi nuk përfundon me vdekjen e tyre. Ata të dy rrinë së bashku, shikojnë kah një fushë e bukur. Nuk ka më baltë, akull, të ftohtë, që mbizotëron vazhdimisht në peizazhin e këtij filmi, në këtë anën polake.

Filmi merr fund kur Zula i thotë Wiktorit: ‘Eja të shkojmë në anën tjetër. Atje do të jetë një pamje më mirë se kjo këndej’.

Kjo ana tjetër është vdekja.

Por, ky epilog i filmit ‘Zimna wojna’i shmanget çdo kategorizimi të mundshëm, i cili mezi pret të imponohet në këto raste.

Wiktor dhe Zula zgjedhin vdekjen për të mbetur bashkë, përgjithmonë. Sepse, kjo nuk u bë dot në të gjallë të tyre.

Kënga ‘Dy zemra’, që sillet gjatë gjithë filmit, në të gjitha variacionet e mundshme, si këngë folklorike polake dhe në atë jazz disponimin parisien, ka këtë tekst:

‘Dy zemra, katër sy.

Që qanë gjatë gjithë ditës dhe natës.

Sytë e zi me të cilët ti qan.

Nuk do të takojnë më.

Dhe unë jam si një djalë jetim.

Kush mund ta dojë këtë djalë.

Dhe unë jam vetëm mbetje e këtij djali dhe këtij zëri

Do të të dua sa të jam gjallë’.

Pawlikowski, njëlloj si tek ‘Ida’, edhe këtu aplikon teknikën bardhë dhe zi. Përzierja e këtyre dy ngjyrave krijon më së miri atë zymtësinë mbizotëruese të këtij rrëfimi dashurie

Ndryshe, ai nuk do t’i arrinte të gjitha efektet e jashtëzakonshme në një fotografi të shkëlqyeshme të Lukasz Zal, që të kujton ato pamjet e filmave të vonë të Andrei Tarkovskit.

Ka shumë qiell të zymtë, ka shumë tokë të mërdhirë, ka shumë acar dhe të ftohtë që mbërrinë edhe tek ne, si shikues, ka shumë njerëz që heshtin, ka shumë mërzi dhe pikëllim në këto pamje të Zalit dhe Pawlikowskit, të cilat pastaj kombinohen me muzikën e Marcin Maseckit.

Pawlikowski qëllimisht kërcen prej një skene në tjetrën, bredh nëpër vende dhe kohë, duke i lidhur me një rrëfim të qëndrueshëm, me tablo të mrekullueshme artistike dhe me këtë këngën që është lajtmotiv i filmit.

Dhe të gjitha këto ky i mbërrin për një orë e gjysmë.

Arti nuk bëhet ndryshe. /Lajmi.net/