Filmi kosovar ‘Babai’ do të shfaqet në Beograd

Në film luajnë Adriana Matoshi, Val Maloku, Xhevdet Jashari, Astrit Kabashi e aktorë të tjerë.

ShowBiz

01/03/2017 15:30

Filmi “Babai” me regji nga Visar Morina do të jepet këtë muaj në Beograd.

Goethe Institute në Beograd ka përzgjedhur edhe këtë vit filmat më të mirë gjermanë apo në bashkëproduksion me Gjermaninë për ti shfaqur në Qendrën Kulturore GRAD.

Filmi “Babai” është bashkëproduksion gjerman, 104 minuta, dhe një histori e fuqishme e cila tanimë ka disa çmime në festivale të mëdha botërore.

“Babai” shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë, i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të 90-ta, shkruan kultplus.com

Kur babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë – bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Në film luajnë Adriana Matoshi, Val Maloku, Xhevdet Jashari, Astrit Kabashi e aktorë të tjerë.

Filmi do të jepet me datë 12 mars, në ora 21:00 në Qendrën Kulturore GRAD në Beograd.