Filmi kosovar Agnus Dei do të shfaqet në Spanjë (Foto)

Filmi “Agnus Dei” i regjisorit Agim Sopi, është zgjedhur në programin zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Rioja, i cili do të mbahet nga 12-17 shtator në Logrono, Spanjë.

ShowBiz

02/08/2016 11:25

“La Rioja” ka bërë përzgjedhje nga pesë kontinente ku kanë paraprirë filmat e shkurtër.

Filmi trajton fatin tragjik të një të riu me familje të përzier, babanë shqiptar dhe nënën serbe, gjatë luftës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Regjisorit Agim Sopi i janë dashur dy muaj xhirime për ta përfunduar filmin “Agnus Dei” të financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Sopi xhirimet fillimisht i kishte nisur në vjeshtën e vitit 2011, por problemet me motin e kanë ndërprerë punën në terren duke e detyruar që xhirimet ti vazhdoj në pranverë. Filmi “Agnus Dei” është financuar me 300 mijë euro nga QKK-ja.

Filmi, i cili në esencën e tij tematike, ka luftën e fundit në Kosovë, ka në kastin e aktorëve edhe emra si Bislim Muçaj, Blerim Gjoci, Selman Lokaj, Selami Taraku, Sylejman Lokaj, Selman Jusufi, Mehmet Breznica, Lumnije Sopi, Ismet Azemi, Ramadan Malaj-Badi, Mentor Zymberaj, Çun Lajçi etj.

“Agnus Dei” në muajin nëntor të vitit 2012 është shfaqur si premierë ndërkombëtare në programin kryesor “World Cinema” në India International Film Festival, në konkurrencë me regjisorët më të mëdhenj botërorë. Po ashtu është shfaqur në AFM – Santa Monica të SHBA-së, që konsiderohet ndër evenimentet më të mëdha kinematografike në botë.

Çmimet që ka fituar “Agnus Dei” janë: Audience Award – Prishtina International Film Festival, Gold Prestige Award –The Prestige Film Festival – Eureka, California, Honorable Mention Award – The international Film Award Berlin, Best Feature Film – Cannes van d’Or – European Film Festival, Best Feature Film – Ionian International Film Festival – Lefkas, Best Film in Festival – London Crystal Palace International Film Festival, Best Foreign Film – London Film Awards 2013 – London, UK, Grand Special Jury Prize – California Film Awards 2013 – San Diego, USA..

Agnus Dei ka fituar edhe çmimin Sir Edmund Hillary Award – Best Feature Competition, ne Mountain Film Festival i cili ka përfunduar më 10 shkurt 2016 në Sierra Nevada, USA, duke e bërë kështu çmimin i 62-të.

Agnus Dei shfaqet ditën e enjte më 15 shtator në ora 17:00. /lajmi.net