Fillon vala e misioneve vetëvrasëse të IS, e pësojnë 40 ushtarë irakianë

Në një seri sulmesh vetëvrasëse me bomba nga ana e ekstremistëve të IS, gjatë ditës së djeshme janë vrarë 40 ushtarë irakianë dhe 68 të tjerë janë rrëmbyer. 

Bota

23/09/2014 00:58

Sulmet kanë ndodhur në qytetin Sixhir, 70 kilometra në perëndim të Bagdadit, kurse si transmeton agjencia e lajmeve AP, edhe burimet spitalore e kanë konfirmuar numrin e viktimave.

Ushtarët e zënë robër supozohet se janë dërguar në qytetin e afërm Falluxha, tha gjenerali Rashid, Fleih, ndonëse me ta nuk është arritur të vendoset asnjë kontakt.

Pas kësaj serie të sulmeve vetëvrasëse, Iraku ka tërhequr nga Sixhiri rreth 700 trupa të veta shkaku i frikës nga sulmet e reja vetëvrasëse.

Në një zhvillim tjetër, në pjesën tregtare të Bagdadit sonte ka ndodhur një shpërthim i automjetit bombë, dhe me këtë rast raportohet se kanë vdekur të paktën 12 veta, kurse edhe 25 të tjerë janë plagosur.