Filloi viti i ri shkollor, 23 shkolla ende në renovim (Video)

Fillimi i vitit të ri shkollor ka mirëpritur 408 mijë nxënës të ciklit parauniversitar në të gjitha shkollat e vendit. Rreth 23 shkolla sot nuk kanë filluar procesin mësimor pasi që janë në proces të renovimit të objekteve. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa tha se këto renovime do të përfundojnë këtë javë.

Lajme

01/09/2014 18:49

Njëzet e shtatë mijë fëmijë sot janë ulur për herë të parë në bankat shkollore. Ata më 1 shtator kanë filluar rrugëtimin e tyre për edukim dhe dituri. Atyre sot, ashtu siç është bërë traditë, u janë shpërndarë abetare dhe tekste të tjera shkollore falas.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), janë 408 mijë e 143 nxënës që këtë vit do të ndjekin mësimet në arsimin parauniversitar.

Por, jo të gjithë nxënësit sot e kanë filluar mësimin, pasi që disa shkolla janë akoma në procesin e renovimit.

Zëvendësministri Nehat Mustafa ka thënë për lajmi.net se janë rreth 23 shkolla në mbarë vendin që janë në proces të renovimit të objekteve shkollore.

Ai u vë fajin drejtorive komunale të arsimit, të cilat presin që punimet për renovim të nisin në fund të pushimit shkollor.

“Kemi pajisur shkollat e reja ose ato që kanë qenë në renovim, varësisht nga kërkesat e drejtorive komunale, me inventarin plotësues, mirëpo sot kemi parë që në 22 apo 23 shkolla nuk ka filluar mësimi për arsye se ato shkolla janë duke u renovuar, pra komunat kanë filluar me vonesë renovimin e tyre dhe si duket kjo është shndërruar në një traditë të disa drejtorive komunale të arsimit. Ato nuk po i fillojnë punimet me kohë, që në fillim të pushimeve verore, por po i lënë që ato t’i fillojnë në përfundim të pushimeve verore. Pastaj ato po shkaktojnë pengesa në fillimin e mësimit”.

“Sipas informacioneve që i kemi nga komunat, këto renovime do të përfundojnë deri në fund të kësaj jave pothuajse të gjitha shkollat, që do të thotë edhe në ato shkolla që janë duke u renovuar, një pjesë e nxënësve janë bartur në shkolla të tjera dhe janë duke e vazhduar mësimin”.

MASHT, thotë Mustafa, këtë vit ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura që të ketë një fillim të mbarë shkollor. Ai për lajmi.net ka treguar se Ministria ka pajisur të gjitha drejtoritë komunale me tekste shkollore.

“Ministria e Arsimit, të gjitha përgatitjet që i takojnë konform kompetencave që ne i kemi, i ka bërë. Natyrisht që për të filluar një vit sa më i mirë është dashur që drejtoritë komunale të arsimit t’i bëjnë përgatitjet e tyre për një fillim sa më të mbarë. Kështu që, konsiderojmë se sot me sukses ka filluar viti i ri shkollor për 408 mijë nxënës në arsimin parauniversitar, në mesin e të cilëve janë 27 mijë nxënës të cilët për herë të parë kanë ulen në bankat shkollore. Është fjala për nxënësit e klasës së parë fillore, të cilët sot janë pajisur me abetaret dhe me tekstet e tjera shkollore. MASHT-i me kohë ka furnizuar të gjitha drejtoritë komunale me tekste shkollore, konform shënimeve që i kanë sjellë këto drejtori”, tha Nehat Mustafa për lajmi.net