Filloi shpërndarja e ndihmave sociale në Postë

Nga sot mijëra qytetarë kanë filluar marrjen e ndihmave sociale në sportele të Postës së Kosovës, për herë të parë që nga përfundimi i luftës, sepse ky shërbim deri më tani është ofruar vetëm në banka komerciale.

Lajme

02/10/2017 14:10

Me këtë rast, në zyrën postare në lagjen “Dardania” në Prishtinë, përurimin e këtij projekti e kanë bërë Skender Reçica, ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha dhe këshilltari politik i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Ibrahim Rexhepi.

Ky shërbim është lansuar pas një pune të gjatë të ekspertëve të MPMS-së, Postës dhe Bankës për Biznes.

“Do të përfitojnë qytetarët që marrin ndihma sociale sepse tani do ta kenë më të lehtë të marrin këtë asistencë meqenëse Posta ka zyra postare në çdo qytet, përfshirë edhe vendbanime rurale. Me këtë projekt ofrohet shërbimi afër qytetarit dhe më nuk kanë nevojë për të harxhuar para për udhëtim, ushqim, për pritje të gjata”, ka thënë kryeshefi Hoxha.

Ai theksoi se Posta e Kosovës është e gatshme të marrë përsipër edhe shërbime tjera të ngjashme nga MPMS dhe nga institucione tjera.

Ministri Reçica u shpreh i kënaqur për këtë projekt të përbashkët dhe premtoi se do të shqyrtojë mundësinë që edhe skema të tjera që menaxhohen nga MPMS të kalojnë në Postën e Kosovës për të siguruar shërbime sa më afër qytetarëve.

Ndërkaq, këshilltari i MZHE, Ibrahim Rexhepi, përgëzoi të gjitha palët që kanë arritur marrëveshjen për këtë shërbim duke shtuar se ka pasur mjaft sfida deri në arritjen e këtij qëllimi.