Fillimi i Rrugës Europiane

Në takimin e parë mes Kosovës dhe Komisionit Europian është negociuar për titujt IV, V e VI, ndërsa titujt tjerë të MSA’së diskutohen më 27 nëntor. Kryenegociatori Joost Korte tha se hapja e negociatave shënon fazën e re në marrëdhëniet e Kosovës me BE'në.

Lajme

28/10/2013 18:45

Ka përfunduar takimi i parë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Europian për negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Kryesuese e negociatave nga Qeveria e Kosovës ishte Minsitrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ndërsa nga ana e Komisonit Europian, Joost Korte.

Pas përfundimit të takimit, Ministrja Vlora Çitaku e vlerësoi atë të sukseshshëm dhe frytshëm ndërsa njoftoi për bisedimet që do të zhvillohen gjatë ditës së martë.

“Sot kemi mbajtur takimin e parë negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi. Dëshiroj të falenderoj bashkëbiseduesin, homologun tim nga ana e Komisionit Europian, kryenegociatorin Joost Korte për takimin e sukseshëm dhe diskutimin e frytshëm që zhvilluam sot”.

“Rëndësia e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimiit qëndron në faktin që MSA’ja do të jetë bazament i marrëdhenieve tona politike, ekonomike dhe ligjore deri në aktin final të antarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian”.

“Është inkurajuese që para nesh kemi një marrëveshje që do të përfshijë të gjitha elementet tradicionale të Marrëveshjes Stabilizim-Asociimi”.

“Sot kemi hapur negociatat për titujt IV, V dhe VI, ndërsa me 27 nëntor do të hapim negociatat në të gjithë titujt të mbetur të MSA’së.

“Ministria e Integrimit Europian tanimë ka filluar analizen e ofertës së Bashkimit Europian dhe që nesër do të mbahet takimi i parë i brendshëm koordinues me të gjitha institucionet përgjegjëse. Kjo do të ofrojë bazë për mbajtjen e takimeve të grupeve negociatore me Bashkimin Europian nga dhjetori i këtij viti”.

Kryenegociatori i Komisionit Europian në këtë negociata, Joost Korte tha se dita e sotme është njohje e progresit që ka ndodhur në Kosovë, në vitet dhe muajt e fundit.

“Hapja e negociatave shënon fazën e re në marrëdhëniet tona”.

“Sot ne i kemi prezantuar Kosovës oferten tone për titujt e parë të MSA’së, ne kemi filluar me çështjet më komplekse, gjegjësisht titujtë IV, V, dhe VI që mbulojnë tregtinë dhe  përafrimin e legjislacionit. Tani, ekipi negociator i Kosovës duhet të na ofrojë mendimin e vet për ofertën tonë dhe pastaj t’i negociojmë dhe t’i dakordojmë të gjitha detajet e marrëveshjes”.

“MSA do të jetë një marrëveshje thelbësore mes Kosovës dhe BE’së dhe si e tillë do të rregullojë aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve tona, siç janë: dialogu politik, drejtësia dhe punët e brendshme, çështjet e tregtisë, bujqësisë, zhvillimit social dhe ekonomik, mjedisit, etj”.

“Bashkimi Europian është shumë ambicioz dhe sot ne kemi rënë dakord për një kalendar intenziv të negociatave për bisedimet zyrtare dhe teknike. Presim që negociatat të përfundojnë deri në fund të pranveres së vitit të ardhshëm dhe pastaj teksti i dakorduar të fillon procesin e miratimit në kuadër të institucioneve të Bashkimit Europian.”

Më herët në hapje të negociatave, Kryeministri Hashim Thaçi, deklaroi se fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian e bën ditën e sotme, me plot kuptimin e fjalës – historike.

“Them se është një ditë historike sepse sot po hapet një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i pakthyeshëm që ndodh një herë në hitorinë e Kosovës”.

“Sot po fillojmë një proces që shpie drejt anëtarësimit në BE. Ky moment përputhet plotësisht me vizionin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtar i BE’së dhe NATO’s, ndërsa bashkimi Europian sot po përmbushë premtimin e bërë ndaj Kosovës duke ofruar një perspektivë të qartë të anëtarësimit dhe kështu, po vendos shtetin e Kosovës në nivel të barabartë me të gjitha vendet e rajonit” .

Ndryshe, në muajin dhjetor te vitit të kaluar, Këshilli Europian ka konfirmuar progresin dhe mundësinë e hapjes së negociatave për MSA ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian. Kjo mundësi është kushtëzuar me obligimin e Kosovës që të përmbush kriteret afatshkurta të  përshkruara në Studimin e Fizibilitetit.

Në muajin prill të këtij viti, Komisioni Europian ka konfirmuar që Kosova ka përmbushur kriteret afatshkurta në fushën e sundimit të ligjit, administrates publike, të drejtave të minoriteteve dhe tregtisë. Në qershor, duke pasur parasysh përmbushjen e kritereve afatshkurta, Këshilli Europian vlerësoi arritjet dhe konfirmoi nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Negociimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi është hapi i parë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.