Fillimi i Ndryshimit

Fatmir Limaj pohon se nuk ka pasur asnjë dyshim për rezultatin zgjedhor në Malishevë. Atë e ka gëzuar fitorja e IQM’së, të cilën e ka mbështetur. Thotë se kur qytetarët bashkohen dhe besojnë, ndryshimi ndodh. E ky, sipas tij, është vetëm fillimi.

Lajme

04/11/2013 14:21

Fatmir Limaj konfirmoi fuqinë e tij politike në Malishevë, në zgjedhjet lokale të së dielës, në të cilat për herë të parë ai kërkoi votat për një subjekt politik që nuk ishte Partia Demokratike e Kosovës.

Mbështetja që i dha Iniciativës Qytetare për Malishevën doli të jetë vendimtare për ndryshimin e pushtetit lokal në këtë Komunë, në bazë të rezultateve të deritashme të raundit të parë të zgjedhjeve.

Rezultatet preliminare, nga 92.56 për qind të votave të numëruara, nxjerrin të parin Ragip Begajn e IQM’së, me 42. 12 për qind.

Ende nuk dihet se cili do të jetë konkurrenti i tij në balotazh, sepse dallimi mes të dytit dhe të tretit është jashtëzakonisht i ngushtë.

Salih Morina i LDK’së aktualisht ka 25. 88 për qind të votave, ndërsa Isnil Kilaj i PDK’së ka 25.62 për qind.

Fatmir Limaj, ka deklaruar mbrëmë pas mesnatës, për lajmi.net, se ka qenë i sigurt në arritjen e një rezultati pozitiv.

“Nuk kam pasur dilemë në vullnetin e qytetarëve të Malishevës për ndryshim”.

“Kjo është një shenjë se kur qytetarët bashkohen, kur qytetarët besojnë se mund t’i ndryshojnë gjërat, siç është rasti i Malishevës, atëherë fitorja është e pashmangshme”.

Limaj ka pohuar se kishe parë entuziazmin tek qytetarët, gjatë kohës së fushatës elektorale në Malishevë, prandaj pritjet e tij kishin qenë për një “fitore të padiskutueshme”.

Por, ai nuk dëshiron të flasë për peshën e kësaj fitore.

“Nuk do të kishe folur për peshën sonte. Veç e falënderoj Malishevën për këtë hap të madh që kanë bërë”.

“Ka fituar çdo qytetar i Malishevës. Askush nuk ka humbur në Malishevë, përveç grupeve të nëntokës”.

Fatmir Limaj, gjatë fushatës zgjedhore, ka përmendur “Ndryshimin e Madh”, që sipas tij, do të ndodhë jo vetëm në Malishevë por kudo në Kosovë.

“Nuk ka dilemë që ky është fillimi i ndryshimit të madh”.

Limaj nuk ka dashur të flasë për hapat e mëtejmë që do t’i ndërmarrë për karrierën e tij politike, tash kur çarja e tij me PDK’në është evidente, por, megjithatë, ndarja e plotë zyrtarisht ende nuk ka ndodhur.