Fillim i zbehtë, por me miliona

Leon Malazogu, ekspert për çështje zgjedhore, thotë se në tri ditët e para fushata zgjedhore ka qenë e zbehtë. Ai kritikon premtimet milionëshe nëpër komuna dhe mungesën e disa kandidatëve nëpër debate televizive.

Lajme

06/10/2013 00:17

Është dita e tretë e fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe kandidatët për kryetarë të komunave tashmë i kanë hyrë garës për t’i bindur votuesit.

Eksperti i çështjeve zgjedhore, Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për lajmi.net se në fillim fushata është duke u karakterizuar në një zbehtësi nga ana e kandidatëve dhe partive në garë.

Ai nuk pajtohet me mënyrën se si po premtohen milionat për investime nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

“Është brengosës vazhdimi i trendit të premtimeve të qindra milionave të cilat janë të qytetarëve e jo të partive. Fillimi është i zbehtë në përgjithësi dhe nuk ka festë”, thotë Malazogu, për lajmi.net.

Nëse nëpër zgjedhjet paraprake lokale dominonin tema të mëdha politike, tashmë kandidatët kanë filluar të vetëdijesohen dhe të premtojnë atë që i përket pushtetit lokal.

Malazogu shprehet se tashmë po shihet që kandidatët kanë përmirësuar retorikën e tyre zgjedhore.

“Mjaft nga kandidatët nuk janë të përgatitur, por ka edhe kandidatë që kanë përmirësuar retorikën dhe janë mjaft konkretë”.

“Disa nga partitë vërehet se kanë rafinuar mesazhin dhe ndjekin votën në mënyrë mjaft strategjike, duke pasur për cak votues të profileve shumë specifike”.

Beteja për çdo votë është duke u zhvilluar njëkohësisht nëpër tubime zgjedhore, por edhe nëpër debate televizive.

Megjithatë, dy netët e kaluara, oferta për shikuesit para ekranit ka qenë e paplotë për shkak të mungesës së disave nga kandidatët kryesorë nëpër debatet e organizuara.

I pari që mungoi ishte Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa të enjten në mbrëmje dhe kjo u pasua të premten edhe nga Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja dhe sfiduesi i tij Eqrem Kryeziu.

Sipas Malazogut, mungesa në debate mund t’u kushtojë në vota kandidatëve.

“Mungesa do t’ju hakmerret në votë dhe me siguri se do t’i shohim në debat në raund të dytë së paku kur nuk do të mund ta shmangin debatin”.