Filipov: Kumanova, inskenim i qeverisë së Gruevskit?

Një nga gazetarët më të njohur në Maqedoni, Kostadin Fipov deklaroi sot se konflikti në Kumanovë ka gjasa të jetë inskenuar nga qeveria e Gruevskit, duke përmendur edhe arsyet pse ajo veproi kësisoj.

Lajme

11/05/2015 22:14

Po të mos kishte pasur kaq shumë viktima, ndër të cilët edhe policë, tha ai, do ta pranoja pa ngurrim se i gjithë ky nuk ka qenë gjë tjetër veçse një inskenim i qeverisë së Gruevskit.

Filipov së pari e drejton gishtin tek “rehabilitimi personal i policisë”, për të vazhduar me atë personal të njërës prej figurave publike më të akuzuara për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në vend, kreu i shërbimit sekret, Sasho Mijallkov.

Së treti, ai nënvizoi faktin se çdo herë që ekzekutivi maqedonas ka tentuar të ruajë, siç thotë, stabilitetin, komuniteti kombëtar dhe ai rajonal e kanë mbyllur me sukses njërin sy përballë dhunës së brendshme.

Reporteri maqedonas është i bindur se akuzat e një organizimi të jashtëm, të cilave u mëshojnë me forcë autoritetet maqedonase, janë pa bazë.

Filipov vëren se si përplasjet pozitë-opozitë, që arritën kulmin me protestat e vazhdueshme në rrugë dhe thirrjet për dorëheqjen e qeverisë, koinciduan me këtë sulm.

Bën përshtypje, sipas tij, edhe gjuha e përdorur për Kumanovën nga ministrja e Brendshme, e cila është e mbushur me bindjen dhe nevojën e skicimit të një imazhi sa më të qartë të kërcënimit madhor apo të armiqve famëkeq, a thua se maqedonasit nuk e gjykonin dot vetë se sulmuesit ishin të armatosur e të rrezikshëm.

Filipov gjen gjithashtu ngjashmëri të mëdha mes gjuhës së përdorur në këtë rast dhe etiketimeve të bëra ndaj liderit opozitar Zaev, të cilin edhe pse nuk e ka quajtur ndonjëherë hapur “terrorist”, qeveria e ka akuzuar dikur se po komplotonte për grusht shteti, e së fundi e ka përshkruar si “kërcënim për stabilitetin e vendit”.