Figo: Ky përforcim do të shkëlqente në Real Madrid

Figo është pyetur nëse Mauro Icardi mund të jetë futbollisti i duhur për Real Madridin.

Sport

21/04/2018 09:39

Luis Figo ka dhënë një intervistë për Sky Sport, ku ka folur për skuadrën e Interit, duke qenë se ka qenë pjesë e zikaltërve për disa vite, duke fituar edhe trofe. Për shkak të së kaluarës së tij edhe te Reali i Madridit, Figo është pyetur nëse Mauro Icardi mund të jetë futbollisti i duhur për spanjollët.

“Futbollistët e mëdhenj si ai përshtaten në çdo lloj situate dhe janë të aftë të luajnë me çdo skuadër. E ardhmja e Icardit varet nga projekti i Interit, gjendja ekonomike e klubit, por edhe dëshira e vetë futbollistit”, u shpreh Figo.

Ish numri 7 i Interit, ka folur edhe për objektivin e zikaltërve, që sipas portugezit duhet të rikthehen patjetër në Champions, pasi mungojnë prej disa vitesh dhe kjo mund të kthehet në problem, transmeton “SuperSport”.

“Mendoj se Interi duhet dhe do t’ia arrijë të rikthehet në Champions. Skuadra nuk luan prej kohësh në këtë kompeticion dhe sigurisht që kjo është një situatë shumë e keqe, që duhet të ndryshojë menjëherë”, tha portugezi Figo.