FIFA voton sot, Blatter vs Princ Ali

Sot në Cyrih do të mbahet dita e dytë e kongresit të Asociacionit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), derisa vazhdon përballja me skandalin për korrupsion të këtij organi qeverisës të një prej sporteve më të njohura dhe më fitimprurëse të njerëzimit.

Sport

29/05/2015 10:25

Dyqindenëntë (209) anëtarët e FIFA-s që kanë të drejtë vote do të votojnë për presidentin e tyre të ri.  Sepp Blatter, i preferuar, është duke kërkuar votat për një mandat të pestë. Ai do të sfidohet nga princi Ali bin Al-Hussein i Jordanisë.

Votimi vjen dy ditë pasi u arrestuan nën akuzën për mashtrim dhe korrupsion shtatë zyrtarë të lartë të FIFA-s, ndërsa 14 të tjerë janë nën hetime.

Presidenti aktual, Blatter, përballet me thirrjet për të lënë postin, por ai ka thënë se nuk është përgjegjës për skandalin dhe dëshiron për të luftuar korrupsionin.

Blatter, 79 vjeç dhe Princi Ali, 39 vjeç, do të kenë nga 15 minuta për t’iu adresuar delegatëve. Pastaj, 209 anëtarët do votojnë për njërin prej tyre, me votim të fshehtë.

Në raundin e parë, kandidati duhet të marrë 140 vota, dy të tretat, të fitojë garën menjëherë. Nëse kjo nuk arrihet, do të ketë një raund i dytë që kërkon një shumicë të thjeshtë – kushdo që merr më shumë vota zgjidhet president i FIFA-s.

Blatter është në këtë detyrë për 17 vjetësh dhe gëzon mbështetje të fortë në Azi, Amerikë dhe Afrikë dhe sipas BBC-së, ka të ngjarë të fitojë edhe një mandat tjetër katër vjeçar, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Nigerisë, Amaju Pinnick, i tha BBC-së se ai ishte 100 për qind i bindur se Blatter do të fitojë këtë garë, dhe se do të marrë minimum 50 vota nga 54 anëtarët afrikanë.

Në hapjen e kongresin të enjten, Blatter këmbënguli se do të vazhdojë garën përkundër presioneve të jashtme për të dhënë dorëheqje pas skandalit të korrupsionit në FIFA. Ai tha se do të vazhdojë këtë garë për të vendosur gjerat në vend, për të luftuar korrupsionin dhe për ta përmirësuar imazhin e zbehur të FIFA-s.

“Njerëzit mbajnë përgjegjësi për atë që bëjnë, përfshi edhe ata të komunitetit botërorë të futbollit. Unë nuk mund të monitorojë të gjithë, as të përpiqem për të fshehur gabimet e tyre, por do të luftoj për t’i parandaluar këto gabime”, tha Battler.

Princi Ali e ka mbështetjen më të madhe nga Evropa. Në fjalën e tij rreth skandalit të korrupsionit, ai tha se FIFA ka nevojë për një lidership që pranon përgjegjësinë për veprimet e tij dhe nuk e kalon fajin diku tjetër.

“FIFA ka nevojë të rikthejë besimin e qindra miliona tifozëve të futbollit anembanë botës. Unë jam një person i hapur me ide, i drejtë dhe me etikë, jam një person që e do futbollin dhe mund ta drejtojë FIFA-n pa skandale të tilla fare na kanë kapluar”, tha Princi Ali.

Kreu i federatës evropiane të futbollit, UEFA, Mishel Platini, i ka bërë thirrje presidentit aktual të FIFA-s që të tërhiqet, por ai (Battler) e ka hedhur poshtë këtë mundësi.

Hetimi i skandalit në FIFA është kryer nga prokuror amerikanë, të cilët akuzojnë anëtarët e kësaj shoqate sportive për marrje ryshfeti, shantazh dhe pastrimit të parave që prej vitit 1991 dhe që kapin shumën e dhjetëra miliona dollarëve amerikan. /lajmi.net/

Michel Platini
Michel Platini