FIBA Europe Cup shkruan për suksesin historik të Prishtinës

Z Mobile Prishtina ka shkruar historinë për basketbollin shqiptar, duke kaluar në fazën e eliminimit direkt të FIBA Europe Cup.

Sport

07/02/2019 11:15

Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës, ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në histori të klubit, duke e mundur skuadrën e njohur turke, Pinar Karsiyaka, me rezultat 82:78 në ‘Pallatin e Rinisë’ në ndeshjen e xhiros së fundit në grupe për të siguruar kalimin në fazën e eliminimit direkt në FIBA Europe Cup.

Për triumfin historikë të Z Mobile Prishtinës ka shkruar edhe FIBA Europe Cup në Twitter, duke i përgëzuar lojtarët.

“Ndjenja kur kualifikoheni në play-off për herë të parë”, ka shkruar faqja e FIBA Europe Cup.

Përfundimi i ndeshjes, bëri që një numër i madh i tifozëve të futen në parket për të festuar së bashku me lojtarët këtë sukses historik. /Lajmi.net/