FFK, kurs trajnerëve për Licencën B të UEFA-s

Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur sot me kursin e trajnerëve për Licencën B të UEFA-s, që mbahet për herë të parë nën ombrellën e saj. Në hapje të këtij kursi, që mbahet në banesën e Onix Spa në Banjë të Pejës, morën pjesë anëtari i KE i FFK-së, Bakir Burri, sekretari i përgjithshëm i FFK, Eroll Salihu, Anna Stege nga ambasada gjermane, Horst Kriete Ekspert nga Federata Gjermane, Drejtori Teknik i FFK-së, Mihael Nees dhe Sanije Krasniqi, menaxhere e FFK-së për Grassroots.

Sport

17/09/2018 18:01

Në fazën e parë dhjetë ditore pjesëmarrësit do të ndjekin ligjëratat dhe praktikën e punës me ekspertët e kësaj profesioni, derisa në nëntor do të zhvillohet edhe faza e dytë ku kandidatët trajnerë do të nënshtrohen edhe provimeve. Në hapje të këtij kursi Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, theksoi se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për futbollin e Kosovës.

“Kjo ditë është shumë e veçantë, sepse është një rrugë e gjatë që kemi kaluar për të arritur deri këtu dhe pa dyshim është një nga hapat më të rëndësishëm në sistemin e edukimit dhe licencimit, sepse ju jeni gjenerata e parë që do të vazhdoni kursin për Licencën B UEFA. A do të njiheni gjithmonë si gjeneratë e parë që ka marrë Licencën B nga FFK-ja. Shpresoj dhe uroj që të jetë një kurs sa më i suksesshëm. Duke e ditur se keni një bazë të fortë të njohurive nga Kursi i Licencës, jam i bindur se do të kaloni me sukses edhe këtë kurs “, ka theksuar Salihu.

Ndërkaq, të pranishmit i ka përshëndetur edhe anëtari i KE i FFK-së, Bakir Burri, i cili ka theksuar se për FFK-në është shumë e rëndësishme kjo fazë e edukimit të trajnerëve, pasi deri më tani ka mungesë të trajnerëve me licenca të UEFA-s. Sipas tij përgatitja sa më e mirë e trajnerëve është shumë e rëndësishme, ngase ndikon drejtpërdrejt në punën me më shumë gjenerata.

Në emër të ambasadës gjermane të pranishmit i ka përshëndetur, Anna Stege, e cila gjithashtu e ka quajtur këtë si një ngjarje të rëndësishme për historinë e futbollit kosovar, duke pasur parasysh se një kurs i tillë mbahet për herë të parë nën organizimin e FFK -së.

“Ne jemi të lumtur që shohim se kaq shumë ka avancuar futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sporti është një mënyrë shumë e veçantë që të vendos një shtet në hartën ndërkombëtare, prandaj mendoj se futbolli i Kosovës është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Pjesëmarrja juaj në këtë kurs të Licencës B është një mundësi shumë e mirë për të profesionalizoni edhe më shumë futbollin e Kosovës. Gjermania përkrah në mënyra të ndryshme të futbollit të Kosovës dhe një nga këto është edhe ardhja e Michael Nees si drejtor teknik dhe ne jemi shumë të kënaqur me punën e tij “, theksoi Stege.

I pranishmit i ka përshëndetur eksperti i DFB-së, Horst Krieste, i cili është shprehur i lumtur që sërish është përzgjedhur nga FFK si ligjërues për Licencën B dhe shprehu besimin e tij se edhe ky kurs do të jetë i suksesshëm. Punë e suksesshme të të gjithë pjesëmarrësve në kurs u dëshirojë edhe drejtori teknik, Michael Nees, i cili shprehet i lumtur që pjesë e këtij edukimi është edhe një vajzë, pasi sipas tij zhvillimi i futbollit të femrave është ndër prioritetet e FFK. Ndërkohë, ligjëruesi i këtij kursi do të jetë edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Dany Ryser, i cili njëherësh do të monitorojë punën që do të bëhet në këtë kurs.