FFK: Ja pse u shty ndeshja Prishtinë – Gjilan

Ndeshja e fundit e javës së parë të IPKO Superligës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, e përcaktuar të zhvillohej sonte në orën 19:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, është shtyrë shkaku i "mospranimit teknik të stadiumit" nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Sport

20/08/2018 16:44

Prishtina dhe Gjilani pritej të ballafaqoheshin sonte në stadiumin e sapo rinovuar “Fadil Vokrri”, por morën njoftim vetëm disa orë para ndeshjes se ajo është shtyrë për një datë ende të pacaktuar.

Tani, organi qeverisës i futbollit të Kosovës ka dhënë arsyetimin e shtyrës së kësaj ndeshjeje, pa e specifikuar mirë atë.

“Komisioni i Garave gjatë regjistrimit të ndeshjeve të javës së parë u informua nga KF “Prishtina” dhe MKRS se kjo ndeshje nuk mund të zhvillohet me arsyetimin se stadiumi “Fadil Vokrri” nuk është pranuar teknikisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, njofton FFK-ja.

Për terminin e ri të zhvillimit të kësaj ndeshjeje Komisioni i Garave do t’i njoftojë të dy klubet dhe opinionin me kohë, thuhet në njoftimin e FFK-së.