Feston Prishtina

Sigal Prishtina është kampion i ri i Kosovës, pasi e mposhti Pejën në finale të “Play-Offit” 3-0. Bardh e kaltrit e fituan ndeshjen e tretë dhe vendimtare të enjten në kryeqytet.

Sport

29/05/2014 23:17

ETC Superliga e basketbollit e ka tashmë kampionin e ri. Bëhet fjalë për Sigal Prishtinën, e cila ishte dominuese ndaj Pejës në serinë finale, duke fituar bindshëm 3-0.

Bardh e kaltrit e fituan duelin e tretë të enjten mbrëma në kryeqytet me rezultat 74:65, për ta fituar titullin e nëntë pasluftës.

Dardan Berisha realizoi 30 pikë dhe ishte më meritori tek vendësit.

Verdh e zinjtë e fituan çerekun e parë 22:21, ndërsa në atë të dytë dominuan edhe më shumë, 24:15, për të shkuar në pushim me 10 pikë avantazh.

Por, prishtinasit ishin të frikshëm në periudhën e tretë, duke rikthyer gjithçka në të mirë të tyre (20:8), për ta vazhduar dominimin edhe në atë të katërt dhe për të fituar me plot meritë.