Festë me Enver Hoxhën në sfond

Fotografitë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar në Facebook, shihen në sfond posterët e diktatorit komunist shqiptar Enver Hoxha, të cilat mbahen nga adhurues të këtij të fundit.

Lajme

29/11/2013 15:15

Shqipëria sot ka festuar 29 nëntorin, Ditën e Çlirimit.

69 vjet më parë, shteti shqiptar i dha fund pushtimit nazi- fashist, ndërsa sot liderët kryesorë të Shqipërisë, përfshirë Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.

Edi Rama ka deklaruar se “jetët e dhëna në Luftën e Dytë Botërore na flasin çdo vit në këtë ditë, na flasin jo për luftën por për paqen, jo për përplasjen, por për sakrificën, jo për ndarjen por për bashkimin, jo për vdekjen, por për jetën”.

Në disa nga fotografitë të cilat Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka postuar në Facebook, shihen qartë në sfond posterët e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, të cilat mbahen nga adhurues të këtij të fundit.

Enver Hoxha ka qenë drejtues i luftës së shqiptarëve kundër fashistëve.

“29 Nëntori, Dita e nderimit për ata që shkruan një faqe të lavdishme të së shkuarës dhe e reflektimit për sfidat që kemi përpara, të gjithë së bashku, në emër të së ardhmes”.

“Jetët e dhëna në Luftës së Dytë Botërore, na flasin jo për luftën, por për paqen, jo për përplasjen, por për sakrificën, jo për ndarjen, por bashkimin, jo për vdekjen, por për jetën”, ka shkruar Edi Rama në Facebook.