Festa e Shën Valentinit

Shën Valentini ka një të kaluar prej 2000 vjetësh që nëpër shekuj është festuar në tradita të ndryshme. Një nga traditat e praktikuara shekuj më parë, ishte për të gjetur një të dashur në ditën e të dashuruarve, për çka organizoheshin shorte. Në atë periudhë, ishin njerëz të veçantë ata që merreshin me këtë lloj…

Lifestyle

14/02/2014 08:03

Shën Valentini ka një të kaluar prej 2000 vjetësh që nëpër shekuj është festuar në tradita të ndryshme.

Një nga traditat e praktikuara shekuj më parë, ishte për të gjetur një të dashur në ditën e të dashuruarve, për çka organizoheshin shorte.

Në atë periudhë, ishin njerëz të veçantë ata që merreshin me këtë lloj riti.

Ndërmjetësi merrej vesh me vajzën e cila duhet të shkruante emrin e personit që pëlqente në një copë letër dhe t’ia jepte ndërmjetësit që të merrte pjesë në short, dhe të fitonte njeriun e preferuar.

Në Shekullin XVI, pikërisht më 14 shkurt, si shenjë dashurie jepeshin dhurata të këtilla si: dorëza, çorape dhe shami.

Në Shekullin XVII, Puritenët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin se dita e të dashuruarve është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin.

Edhe këtë herë dashuria triumfoi dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Dhuratat e asaj kohe ishin veshjet dhe një shishe verë. Në atë periudhë, 14 Shkurti festohej në Francë, Itali, Gjermani etj.

Në një fshat të vogël të Francës, pleqtë e fshatit ndaheshin në dy grupe dhe shëtisnin shtëpi për shtëpi për të zgjedhur të rinjtë të cilët dilnin nëpër dritare dhe thoshin emrat e njëri-tjetrit, e më pastaj vajza ia dërgonte një veshje të re si shenjë ftese mashkullit për mbrëmjen e njohjes që organizohej në qendër të qytetit.

Nëse ftesa i pranohej nga djali, si përgjigje vinte një shishe vere. Atë natë, në mbrëmjen e Shën Valentinit, nëse vajza apo djali nuk e pëlqenin njëri-tjetrin, po atë natë ndizej një zjarr i madh dhe digjeshin të gjitha veshjet që ishin dërguar për ftesë. Në vitin 1776 kjo tradite u ndalua.

Në Shekullin XVIII shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte.

Kartolinat zbukuroheshin me germa të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa, disa kartolina zbukuroheshin me zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi.

Këto kartolina sot ruhen si antikitete të vlefshme nëpër muze. Mbas vitit 1850, u shtypën kartolinat e para për ditën e Shën Valentinin dhe u nxorën në treg për t’u shitur. Që prej asaj kohe, Shën Valentini u përdor edhe për interese fitimi në biznes.

Historiku i Shën Valentinit 

Shën Valentini ishte peshkop i Romës gjatë shekullit të tretë. Vizitonte të gjitha shtëpitë dhe këshillonte bashkëshortët t’u ishin besnikë njëri-tjetrit.

Klaudio, perandori i atëhershëm i Romës, donte që të gjithë burrat të futeshin në radhët e ushtrisë. Nga ana tjetër, meshkujt nuk donin pasi një gjë e tillë, do t’i mbante larg nga familjet e tyre. Kështu, Klaudio anuloi të gjitha martesat dhe fejesat e kohës.

Shën Valentini, në kundërshtim me urdhërin e rreptë, i martonte çiftet fshehurazi dhe si rezultat, kur kjo u bë e ditur, ai u arrestua dhe u dënua me prerje koke.

Romët, për nder të tij, kishin ndërtuar një tempull jashtë kishës, por kur Armandito e pushtoi Romën, shkatërroi edhe tempullin.

Pas disa vitesh, arkeologu Pertuci, i cili kishte lexuar libra për Shën Valentinin, shkoi në Romë dhe e zbuloi tempullin e tij. Shën Valentini nuk festohet as nga feja katolike e as nga ajo ortodokse.

Këtë e vendosën më tepër tregtarët për t’i zbrazur raftet e tyre, megjithatë është një ditë që na pëlqen të ndjehemi pak më ndryshe se ditët tjera dhe pse jo, ta shprehim hapur dashurinë kundrejt personit që kemi në zemër.