Festa e Seedorfit

Clarence Seedorf e ka festuar të dielën mbrëma fitoren e Milanit ndaj Interit. Trajneri holandez i ka përgëzuar lojtarët për lojën që e bënë, ndërsa e konsideron veten një njeri me shpirt fituesi.

Sport

05/05/2014 10:54

Milani i tij e fitoi derbin e Milanos dhe iu afrua Europa League për sezonin e ardhshëm. Dhe, bankina e Clarence Seedorfit u përforcua pikërisht në natën më të rëndësishme.

Trajneri holandez nuk e fshehu gëzimin që ndieu pas fitores ndaj Interit me rezultat 1:0, falë golit të Nigel de Jong.

“Kemi festuar në mënyrë normale. I kemi befasuar taktikisht dhe e kemi mbuluar zonën qendrore të fushës. Ky është një modul që i pëlqen presidentit dhe natyrisht, e kam studiuar qe më shumë se një vit”, deklaroi fillimisht Seedorf.

“Dua t’i bëj komplimente kësaj skuadre, e cila ka demonstruar dëshirë të madhe për të dhënë kontribut në fushë. Jam i kënaqur. Grupi i lojtarëve është përgjigjur në fushë dhe me fakte”.

“Sonte djelmoshat sqaruan edhe një herë se sa special është ky grup. Ta luash një derbi kështu, në këtë moment, nuk ishte absolutisht e lehtë”, vazhdoi holandezi.

“Djelmoshat kanë dëshirë të luftojnë njëri për tjetrin. Kur rezultatet nisin të arrijnë, më pas bëhet gjithçka më e lehtë. Milani po e bën një fazë të dytë të shkëlqyer, duhet gjithmonë të qëndrojmë objektivë”, vijoi Seedorf, i cili e konsideron një mik të mirë Javier Zanettin, kapitenin e Interit, që pritet të pensionohet gjatë kësaj vere.

Në fund, trajneri holandez theksoi se është një person fitues dhe që e jep gjithmonë maksimumin. Ai e falënderoi edhe skuadrën për angazhimin e saj, pasi e pranon se vetëm nuk mund të bëjë asgjë.