Festa e kaltër

Chelsea mposhti Liverpoolin 2:1 në Stamford Bridge në kryendeshjen e xhiros së 19’të në Premierligë. Skuadra e menaxherit Jose Mourinho mori pikë të plota kundër një prej rivalëve direkt në garë për titull, në ballafaqimin ku u desh të rikthehen nga disavantazhi për të dalë fitues. Qendërmbrojtësi Martin Skrtel e kaloi Liverpoolin në epërsi herët…

Sport

29/12/2013 17:57

Chelsea mposhti Liverpoolin 2:1 në Stamford Bridge në kryendeshjen e xhiros së 19’të në Premierligë.

Skuadra e menaxherit Jose Mourinho mori pikë të plota kundër një prej rivalëve direkt në garë për titull, në ballafaqimin ku u desh të rikthehen nga disavantazhi për të dalë fitues.

Qendërmbrojtësi Martin Skrtel e kaloi Liverpoolin në epërsi herët në minutën e katërt, mirëpo mesfushori Eden Hazard realizoi një gol të bukur nga distanca duke barazuar rezultatin për Chelsean në minutën e 17’të.

Kurse, në avantazh Chelsean e kaloi sulmuesi Samuel Eto’o i cili realizoi nga afërsia në minutën e 34’të, para se skuadrat të shkonin në pushim.

Pas intervalit, Mamadou Sakho qëlloi shtyllën për Liverpoolin kurse Eto’o pati një mundësi të mirë por nuk realizoi. Mysafirët patën dy kërkesa për penallti në dy raste kur sulmuesi Luis Suarez u rrëzua brenda zonës nga John Terry dhe Eto’o, por gjyqtari Howard Webb sinjalizoi që loja të vazhdojë.

Pak para fundit, rezervisti Fernando Torres i cili hyri në lojë në vend të Eto’os pati një mundësi të mirë ta mbyll çështjen e fituesit, por goditjen e tij nga afërsia e ndali portieri Simon Mignolet.

Megjithatë, Chelsea fitoi në fund dhe u ngjit në pozitën e tretë me 40 pikë, dy më pak se lideri Arsenal. Kurse, Liverpool ka rënë në vendin e pestë me 36 pikë.