Festa e Bajramit me mesazhe që të mos diskriminohet gruaja, rrahja e tyre po vazhdon

Festa e Kurban Bajramit po përçon mesazhe që të mos diskriminohet gruaja kosovare dhe të mos përdorët dhunë ndaj sajë.

Lajme

21/08/2018 11:15

Dhuna ndajë gruas në Kosovë nuk ka të ndalur. U mbajtën edhe protesta për sensibilizim, por persi më pas një burrë vrau gruan e tij në Gjakovë, në Prishtinë babai më djemtë rrahën nënë me motra. Festa e Bajramit që po kremtohet sot, po përcjell mesazhe që të ndalet dhuna ndaj gruas, shkruan lajmi.net

Por, raporti i Policisë së Kosovës, tregon se gjatë ditës së djeshme u raportua në dy raste për dhunë ndajë grave.

“Prishtinë 20.08.2018-16:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili pas një mosmarrëveshje, e kishte sulmuar fizikisht  viktimën femër K/Shqiptare duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në QKUK dhe pas tretmanit mjekësor është liruar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari  është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin e policisë për 24 orët e fundit.

Tutje raporti tregon se, në Prizren “Viktima femër K-Shqiptare me 20.08.2018 ka raportuar se vazhdimisht shantazhohet dhe dhunohet seksualisht nga i dyshuari mashkull K-Shqiptar. Nuk raportohet për të lënduar, viktima është dërguar në strehimore kurse i dyshuari gjendet në arrati dhe ne kërkim policor”.

Ndërkaq, derisa myslimanët në Kosovë kanë falur namazin e Kurban Bajramit, manifestimi qendror i së cilit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Me këtë rast Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Ternava ka bërë thirrje që kjo festë të merret si kampanjë për të drejtat e femrës, që të ndalohen vrasjet dhe hakmarrjet, si dhe në të ketë solidarizimin në vend të mohimit të të drejtave të femrës.

Tërnava ka shtuar se kjo është përgjigje ndaj atyre që sipas tij, padrejtësisht akuzojnë islamin për shkeljen e të drejtave.

Kreu i BIK-ut ka bërë thirrje që askujt të mos i merret jeta, të cilën Zoti e ka shenjtëruar, duke përmendur këtu edhe të drejtën e nderit dhe pronës.

“Në këtë festë madhështore konfirmojnë me theks të veçantë edhe të drejtat e femrës, të drejta këto që vazhdojnë të përbuzen dhe të abuzohen me to edhe sot e kësaj e dite nga shoqëri të shumta nëpër botë. Fakti që Pejgamberi ynë Muhamedi a.s e përzgjodhi të drejtën e femrës në mesin e shumë gjërave dhe çështjeve të tjera me rëndësi në haxh, flet për përkushtimin e tij për të. Fillimisht na përkujtoi Allahu për përgjegjësitë që i kemi para tij, Allahu na përkujtoi edhe përgjegjësinë karshi femrës dhe të drejtave të saj, për të porositur më pas që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre, nëse do ta shpjegonim këtë të drejtë në mes të drejtave të barabarta, atëherë më pak fjalë do të thoshim se islami garanton të drejtën e femrës për të jetuar dinjitetshëm, e jo abuzuar me të. Allahu na urdhëron në Kuranin famëlart, jetoni e silluni mirë me to, megjithëkëtë, me keqardhje më duhet të them se të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tonë, në mënyra e forma të ndryshme, duke filluar nga liria që i ka dhuruar Allahu, veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo të nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës së saj”, u shpreh Tërnava.

Në BIK sot ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai tha se në ditën e sotme duhet përcjellë mesazhi për mbrojtjen e grave kosovare, për të cilat kohëve të fundit ka pasur lajme të këqija në lidhje me dhunën në familje.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e solidarizimit ku ne duhet të ndajmë të gjitha me të tjerët, të mirat tona me ata që kanë dhe nuk kanë. Falënderoj myftiun për deklarimin që bëri sot dhe shfrytëzoj këtë ditë të përcjellët mesazhi për vajzat tona për barazi, sepse dhuna e vajzave është temë politike dhe dhuna ndaj vajzave është e papranueshme dhe vetëm me barazi ne mund të ecim përpara si shoqëri, këtë e bëjmë ne por kështu e thotë edhe feja Islame”, tha Ahmeti

Ndryshe, dhuna ndaj grave ka shënuar rritje nga viti në vit.

Sipas  statistikave policore dhuna në familje  rritet nga viti në vit. Sipas tyre, gjatë vitit 2015  janë evidentuar 1038 raste, më 2016, 1227 raste, 1269 raste në vitin 2017, ndërsa në periudhën janar-qershor 2018,  628 raste. Rastet që nuk raportohen janë shumëfish më të mëdha. /Lajmi.net/