Ferri i grave skllave të ISIS-it

Gjate këtyre muajve të fundit të fushatës së tij të dhunës, Shteti Islamik ka kapur me qindra gra e vajza. Shumë pak prej tyre kanë arritur të shpëtojnë, e disa kanë treguar sesi përdhunohen prej militantëve të ISIS-it, sesi janë shtrënguar në martesa të padëshiruara e një pjesë janë kthyer në skllave seksuale. 

Bota

31/10/2014 18:27

Duke sjelle rastin e një 15-vjeçare te komunitetit jazidi, të rrëmbyer në Irakun verior, ‘Zëri i Amerikës’ tregon se adoleshenten e kanë detyruar të martohej me luftetarë të ndryshëm. Vajza arriti t`i shpëtonte ferrit të përjetuar pasi drogoi rrëmbyesit me substanca që gjeti në banesën ku e mbanin të burgosur. 

Ajo rrëfen se e kanë shitur bashkë me dy vajza të tjera, të cilat më vonë i kanë dërguar në Mosul. Disa prej grave apo vajzave të sekuestruara kanë arritur t`i telefojnë familjeve. Në zërat e tyre lexohet dëshprimi, thotë “Zëri i Amerikës” duke cituar Baher Ali, anëtar i  fondacionit ndërkombëtar AMAR: “Lutjuni Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar ta bombardojnë këtë vend ku ndodhemi, thonë ato. Duam të vdesim, sepse po jetojmë si të vdekura”. 

Kohët e fundit organizata ‘Human Rights Watch’ publikoi një raport mbi martesat me detyrim dhe konvertimin fetar të jazidive nga ISIS. Nga ana tjetër edhe Universiteti i Virxhinias zhvilloi një konferencë mbi dhunën e ushtruar ndaj grave prej xhihadisteve. Sipas aktivisteve në terren, abuzimet janë tronditëse ndërsa mbështetja për viktimat është e pamjaftueshme dhe as donatorët ndërkombëtarë nuk po mobilizohen me ndihma.