Ferrari 250 GTO shitet për 38 milionë dollarë

Të enjten mbrëma gjatë “Monterey Car Week” në Carmel të Kalifornisë, u shit Ferrari 250 GTO i vitit 1962 në ankand.

Auto & Tek

16/08/2014 20:39

Çmimi edhe pse ka thyer rekord, për shumë ekspertë është tejet i vogël në krahasim me parashikimet e tyre.

Ekspertët e veturave klasike kishin pritur që kjo veturë të sjellë dyfishin e këtij çmimi, por ofertat nuk ishin asi soji. Në shtëpinë e ankandeve të mbushur me koleksionues me nam, ofertat filluan me 11 milion dollarë, dhe goditi 31 milion pa kaluar as një minutë.

Megjithatë, entuziazmi për veturën ra me të arritur në 34 milionë. “Ndani edhe 500.000 ?” kërkoi nga audienca drejtuesi i ankandit Robert Brooks.

Përgjigjet ishin të vobekta, pasi ofertat vazhduan me nga 100.000 deri sa arritën çmimin final prej 34.65 milion dollarë.

Dhjetë për qind shtesë do të shkojnë tek shtëpia e ankandit.

Kjo shitje i ka vënë kapakun spekulimeve të shumta të muajve të fundit në lidhje me çmimin final të Ferrarit. Edhe pse ofertat nuk arritën pritjet e ekspertëve, tridhjetë e tetë milionë dollarë janë shumë rekorde për tregun e veturave klasike.

Kjo shitje ka kaluar rekordin e vitit të kaluar ku u shit një Mercedes W196 për 30 milionë dollarë në Angli.