Feronikeli nuk njeh limit

Feronikeli është duke radhitur suksese të njëpasnjëshme. Skuadra kampione vjeshtore e Kosovës triumfoi edhe në Kupën e Pavarësisë në Shqipëri. Por, trajneri Gani Sejdiu thotë se ata nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq. Objektivi i radhës është më i rëndësishmi, titulli i kampionit në Superligën e Kosovës.

Sport

29/11/2014 14:02

Feronikeli nuk është më befasi në futbollin kosovar. Skuadra e trajnerit Gani Sejdiu triumfoi në Kupën e Pavarësisë në Shqipëri duke mposhtur skuadra kualitative si Llamkos Kosova dhe Shkëndija, në rrugëtimin drejt një tjetër suksesi të madh. Por, ata nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq.

Trajneri Sejdiu në një bisedë për “Lajmi.net”, është shprehur i kënaqur me punën e deritashme të skuadrës së tij, por tregoi se ata kanë edhe të tjera objektiva të rëndësishme për të realizuar.

“Ka qenë një aventurë e mirë, një mikpritje fantastike dhe një garë më tepër simbolike. Suksesi ynë është dëshmi se nuk jemi rastësisht kampion vjeshtor në Kosovë”, deklaroi Sejdiu për “Lajmi.net”.

“Me Llamkosin zhvilluam një ndeshje të barabartë në nivelin teknik dhe fituam me penallti, kurse e kemi dominuar ndeshjen kundër Shkëndijës e cila me gjithë mungesat, pati disa nga futbollistët titullarë”, shtoi ai.

Feronikeli nuk ka kohë për pushim, Sejdiu – i cili punon shumë nga aspekti psikologjik me ekipin – është në kërkim të disa përforcimeve për të përforcuar edhe më tepër shanset për të fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës.

“Më nevojiten edhe 2-3 futbollistë, e sidomos një mesfushor i krahut me tipare sulmuese. Por, do të ishte mirë të gjejë edhe një mbrojtës dhe sulmues për të shtuar konkurrencën dhe opsionet në ekip”, u shpreh Sejdiu.

“Pranvera është gjithmonë më e vështirë edhe për ne që luftojmë për titull, edhe për ekipet që janë në garë për mbijetesë. Andaj, nuk do të jetë fare lehtë. Edhe nëse nuk e shpalli kandidaturën për titull, pasqyra e tabelës e tregon se jemi konkurrentë serioz”.

Sejdiu po ashtu uroi Ismet Munishin për angazhimin në krye të Hajvalisë, por e paralajmëroi se tek skuadra e re do ta ketë më vështirë të arrijë suksesin që pati me Llamkos Kosovën.

“Kam respekt për Munishin, si koleg dhe si person i veçantë që është e që i duhet futbollit të Kosovës. Ai ishte përshtatur shumë mirë me metodat e tij në Vushtrri, por në Hajvali do ta ketë më të vështirë”, përfundoi Sejdiu.