Fermerët protestojnë se po iu kalben prodhimet, Ministria përgjigjet se janë rritur eksportet

Në kohën kur fermerët shqiptarë protestojnë se po iu kalben prodhimet pasi nuk po gjejnë treg ku të shesin produktet e tyre, Ministria e Financave thotë se shifrat e eksport-importit tregojnë të kundërtën dhe se ankesat e fermerëve janë të pavend. Sipas statistikave zyrtare në 8 muajt e fundit Shqipëria ka rritur eksportet e produkteve bujqësore me 14 milionë dollarë ose thënë ndryshe 44% në krahasim me vitin e kaluar.

Lajme

17/10/2015 16:02

Të dhënat u bënë të ditura nga zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj, gjatë një konference për shtyp të mbajtur paraditen e sotme. Reagimi i Financave vjen dy ditë pas protestës së ndodhur të enjten para Kuvendit të fermerëve të Korçës dhe Devollit të cilët u ankuan se nuk po gjejnë treg për shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore. Zv. ministrja Beqiraj tha se reforma në bujqësi e nisur nga qeveria në gusht të vitit të kaluar, tenton formalizimin e sektorit të prodhimit bujqësor, ku kërkohet pajisja me NIPT e fermerëve. Sipas saj kjo reformë iu siguron treg fermerëve, pasi iu jep atyre mundësinë ta shesin produktin me çmim të plotë.

“Është rritur konsumi i prodhimeve vendase të agrobiznesit dhe konkretisht janë ulur me 10 % importet e fruta-perimeve vetëm për 8 mujorin, me 7.5 % produktet e mishi t; me 4 % përgatitjet e brumit. Eksportet janë rritur me 14.35 milionë dollarë vetëm për 8 mujorin ose ndryshe 44.15 % në krahasim me vitin 2014. Dhe kuptohet më lejoni të shpjegoj që produkti i agrobiznesit është sezonal, një pjesë e mirë e fermerëve të zonës së Korçës sidomos, është shumë e rëndësishme, deri në mars sepse kanë qepën, kanë pataten dhe mendojmë dhe presim në të njëjtën kohë që efektet e kësaj reforme të vazhdojnë të rriten,” tha Irena Beqiraj.

Më 28 gusht 2014, u bënë ndryshime në ligjin për TVSH-në duke i dhënë mundësi të gjithë grumbulluesve të prodhimeve bujqësore, të vetëfaturonin produktin e marrë nga fermerët të pajisur me Nipt.  Zv.ministrja shpjegoi se të gjithë fermerët me xhiro poshtë 5 mln lekësh mund të pajisen me numër Nipt pranë drejtorive rajonale dhe ai është numër identifikimi që grumbulluesit përdorin kur bëjnë autofaturat e tyre. Ajo shtoi se janë rritur kërkesat e fer merëve për tu pajisur me NIPT.

“Të gjithë fermerët me xhiro poshtë 5 mln lekësh mund të pajisen me numër Nipt pranë drejtorive rajonale dhe ky numër është numër identifikimi që grumbulluesit përdorin kur bëjnë autofatura e tyre. Ky 20 për qindëshi i TVSh-së (për faturën që vet mbush grumbulluesi) është subvencion total i fermerit të pajisur me Nipt. Ndërkohë që veç kësaj ajo që bëri kjo reformë jo vetëm i dha mundësi fermerit ta shiste produktin e vet me çmimin e plotë, përfshirë dhe TVSH po i dha mundësi të gjithë grumbulluesve të njihnin TVSH e kreditueshme dhe si shpenzim të gjithë vlerën e produktit pa TVSH të blerë nga fermeri”, bëri të ditur Beqiraj./Kp