Fërkimi për tendat në Shesh

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Isa Mustafën e ka kapur paniku i humbjes dhe për këtë arsye ka dërguar inspektorët që të kërkojnë leje për tri tendat që ka vendosur kjo Lëvizje në shesh.

Lajme

29/10/2013 14:44

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj akuzave të zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, sipas të cilit, kjo lëvizje ka bërë uzurpimin e hapësirës publike në sheshin “Nënë Tereza”.

Të hënën Vetëvendosje vendosi tri tenda nëpër qytetin e Prishtinës, një përball Stacionit Policor dhe dy tjera tek Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve për të zhvilluar takime të drejtpërdrejta me qytetarë.

Dardan Sejdiu, Shef i Shtabit Zgjedhor, sot në një konferencë shtypi tha se menjëherë pas vendosjes së tendave, ato janë vizituar nga inspeksioni komunal.

“Dje inspeksioni komunal ka qenë te tendat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka kërkuar t’i shoh lejet e qëndrimit, dhe ne i kemi prezantuar ata, pasi këtë e kemi bërë 72 orë më herët”.

“Më datën 25 tetor ne kemi dorëzuar në zyrën lokale të Komisionit Zgjedhor kërkesën për këto tubime, për aktivitetin në shesh, për ditët 28, 29, 30 dhe 1 nëntor në lokacionet e specifikuara në kërkesë”.

“Në mungesë të programit, në mungesë dëshmive të punës për gjashtë vjet qeverisje të Isa Mustafës, metodat e fundit të mbetura të këtij pushteti në ikje janë shpifjet dhe barazimi i Vetëvendosjes me subjektet tjera politike”.

“Lëvizja Vetëvendosje për këto 29 ditë, çdo tubim të organizuar e ka pasur në përputhje me ligjin  dhe konform rregullave zgjedhore”

Xhelal Sfeçla, Kandidat për Asamblenë Komunale nga kjo lëvizje tha se Isa Mustafën e ka kapur paniku i humbjes.

“Ne e kuptojmë që Isa Mustafën dhe ekipin e tij e ka kapur paniku për shkak të humbjes së pritur të tyre”.

“I themi se më mirë është të merret me ligjin e me rregullat e me uzurpimet që të afërmit e tyre apo eksponentë tjerë politikë kanë bërë në Prishtinë e mos të merret me thashetheme”.