Ferizaj shembull i tolerancës, prifti ortodoks mik i mirë me hoxhën (Foto/Video)

Xhamia dhe Kisha ndajnë të njëjtën oborr në Ferizaj tani e disa vite. Ky rast është i rrallë në botë e ndoshta rasti i vetëm. Kjo nuk është e tëra, ekzistenca e objektit të kultit xhamisë dhe kishës, nuk është fotografia e vetme që shfaq tolerancën ndërfetare në këtë qytet. Një miqësi e krijuar ndërmjet priftit dhe hoxhës në këtë qytet tregon se toleranca fetare gjithmonë ka qenë për çdo lakmi.

Lajme

20/07/2016 16:55

Ditëve të fundit në Ferizaj shihet diçka e pa zakontë. Aty prifti hynë në xhami dhe hoxha futet pas asnjë hezitim në kishë. Prifti i kishës ortodokse serbe në Ferizaj, Trajko Vlajkoviç dhe hoxhë Naser Kosumi janë bërë miq të mirë. Ata shoqërohen bashkë, shëtisin bashkë. Miqësia dhe respekti i ndërsjellët e kanë bërë gati të padukshëm faktin se ata predikojnë besime të ndryshme fetare, raporton lajmi.net

Prifti Vlajkoviç, ka filluar të shërbejë në kishë para 9 muajve. Ai është vetëm 23 vjeçar. Trajko ka sjellë një frymë të re të komunikimit. Ai jeton me familje në Ferizaj si dhe shëtit lirshëm në këtë qytet. I buzëqeshur dhe me një natyrë të but, mundohet t’i përshëndetë në gjuhën shqipe qytetarët shqiptarë.

Hoxhë Naser Kosumi nga Ferizaj derisa viziton kishën ortodokse tregon për lajmi.net se si u takuan dhe si filluan miqësinë me Vlajkoviç.

“Unë kam shkuar në kishë për t’i dërguar një ftesë priftit për një konferencë ndërfetare. Prifti Trajko më priti shumë mirë, më futi brenda dhe kështu filluam një komunikim më shumë se zyrtarë”, thotë Kosumi.

13699586_10208931237470566_1153157915_o

Edhe prifti Trajko mirëpret komunikimin me shqiptarët. Ai nuk heziton ta vizitojë xhaminë në rast festash për urime. Ndërsa për hoxhë Naserin thotë se i ka ndihmuar shumë që të mësohet në Ferizaj.

 

“Kur kam ardhur para nëntë muajve me shërbye në kishën ortodokse në Ferizaj kam hezituar dhe kam pas pak frik për arsye se ishte një territor i panjohur për mua. Por tash jam mësuar dhe me shumë njerëz të tjerë kaloj shumë mirë. Unë jam njoftuar me Naserin dhe kalojmë shumë mirë, jetoj këtu me gruan dhe fëmijët, nuk kam frik, dal shëtis lirshëm nuk më pengon askush”, tregon për lajmi.net, Vlajkoviç.

Disa turistë nga Italia kishin shfaqë interesim që të vizitojnë objektin e kishës dhe xhamisë në Ferizaj. Ata tregojnë se kanë parë përmes internetit fotografinë e xhamisë dhe kishës dhe janë befasuar për të mirë andaj kanë shfaq dëshirën për ta vizituar.

“Toleranca fetare është një gjë që më ka mrekulluar gjithmonë sa herë që e kam vizituar Kosovën. Ma shumë se toleranca është miqësia ndërmjet myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve një gjë që nuk e kisha prit kurrë në Kosovë”, thotë turisti Aleksander Gaj.

Anëtari i këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Sefdair Haxhiu thotë se në Kosovë gjithmonë ka pas tolerancë fetare. Ai tregon se asnjëherë nuk ka pas ndonjë konflikt.

“Toleranca fetare ka ekzistuar gjithmonë dhe asnjëherë nuk ka pas urrejtje. Ferizaj ka karakteristikën e veçantë që kemi kishën dhe xhamin në një oborr. Raportet me kishën ortodokse në Ferizaj kanë filluar të rregullohen që nga pas lufta. Por tani me ardhjen e këtij priftit të ri është thelluar bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Prift i ri i na viziton në xhami, vjen për festa të bajrameve, shëtit nëpër qytet, ka shokë të përkatësisë myslimane, ka shokë hoxhallarë”, shprehet Haxhiu.

Sikurse hoxha ashtu edhe prifti thonë njëzëri se është koha që të kultivojmë më shumë dashuri ndërmjet vete pavarësisht përkatësisë religjioze dhe të mos lejojmë që aspekti politik të ngurtësojë zemrat.

“Ne shërbejmë në kish sikurse hoxha shërben në xhami. Kemi kishën edhe xhamin në një oborr dhe ky është rasti i vetëm në Evropë. Unë i predikues i ri i besimit ortodoksë dhe si çdo besim tjetër  themi se feja është dashuri dhe asgjë tjetër. Ta ofrojmë njëri-tjetrin me dashuri. Ta lëmë politikën anash, ne jemi njerëz të Zotit, jemi njerëz të besimit”, thotë prifti.

“Mund të kemi ndarje politike por ndarje fetare dhe presione dhashë zoti të mos kemi kurrë. Të kaluarën duhet të lamë anash, ka shkuar e kaluara tash duhet të hapet një kapitull i ri. Kapitulli i bashkëjetesës mirëkuptimit dhe tolerancës. Mund të kemi ndarje politike por ndarje fetare dhashë Zoti të mos kemi”, deklaroi Haxhiu. /lajmi.net

YouTube player