Ferizaj arrin t’i largojë sorrat që galaconin kalimtarët në qytet

Qytetet e Kosovës, duke përfshirë edhe kryeqendrën Prishtinën përballen me problemin e sorrave të cilat shpeshherë i shqetësojnë qytetarët duke i galacuar. Por falë ndërhyrjes së Komunës, Ferizaj nuk e ka më këtë problem.  

Lajme

26/07/2014 21:42

Është një komunë ka gjetur zgjidhje për të evituar problemin me sorrat që galacojnë kalimtarët dhe ajo është Komuna e Ferizajt.

Qytetarët e kësaj qendre, të cilët thuajse e kishin të pamundur të kalonin në pjesët e qytetit ku kishte drunj dekorativ, shkaku se mund të galacoheshin nga sorrat, më nuk e kanë këtë problem.

Komuna e Ferizajt, duke e parë këtë problem si shqetësim për banorët e komunës, ka arritur të gjejë një zgjidhje për evitimin e këtij problemi.

Drejtoria për Shërbime Publike, siguruar disa pajisje të cilat lëshojnë një zë të cilin e dëgjojnë vetëm shpezët, dhe ato i kanë vendosur në shtyllat e ndriçimit.

Kjo pajisje me zë ultrasonik ka treguar sukses, ka thënë për Klan Kosova, Drejtori i Shërbimeve Publike Fatmir Azizi.

Problem i njëjtë ekziston edhe nëpër shumë rrugë të kryeqytetit, por deri tani nuk është menduar për të gjetur zgjidhje.

Shembulli i Ferizajt, ndoshta do të ndikojë që ai të aplikohet edhe në Prishtinë.