Ferdinand largohet nga United

Rio Ferdinand i ka dhënë fund karrierës në Manchester United, pas 12 vjetësh të suksesshëm. ‘Djajtë e Kuq’ nuk ia vazhduan kontratën dhe mbrojtësi anglez po e kërkon një eksperiencë të re. 35 vjeçari e konsideron të paharrueshëm përvojën në Old Trafford.

Sport

13/05/2014 00:19

Rio Ferdinand do të largohet nga Manchester United pasi u informua se klubi nuk do t’ia vazhdojë kontratën.

“Kam menduar gjatë dhe fort në muajt e fundit për të ardhmen dhe, pas 12 vjetësh fantastikë, të kaluar në klubin më të mirë në botë, kam menduar se është koha e duhur për të lëvizur”, ka shkruar 35 vjeçari në uebfaqen e tij zyrtare.

“Iu bashkova Manchester Unitedit me shpresën që të fitoja trofe dhe as në ëndrrat e mia më të ëmbla nuk do ta imagjiinoja se sa të suksesshëm do të ishim gjatë kohës sime këtu”.

“Kam luajtur përkrah disa futbollistëve të mëdhenj, të cilët janë bërë shokë të mirë për mua. Parsaj Premierliga ime e parë dhe ajo natë fantastike në Moskë, janë kujtime të cilat do t’i mbaj përgjithmonë”, vazhdoi Ferdinand.

Ai deshi t’i falënderonte të gjithë bashkëlojtarët, stafin, klubin dhe tifozët, për 12 vjet të paharrueshëm, të cilët ai nuk do t’i harrojë kurrë.

“Unë kam ëndërruar të fitoja trofe që kur isha fëmijë, dhe kjo u bë realitet në këtë klub të madh. Unë ndihem mirë dhe i shëndetshëm, i gatshëm për një sfidë të re. Ta shohim se çka na sjell e ardhmja”, përfundoi ai.