‘Fenomeni’ më i mirë se Ronaldo

Mikael Silvestre lavdëron Cristiano Ronaldon por thotë se futbollisti më i mirë me të cilin luajti gjatë karrierës së tij ishte braziliani Ronaldo.

Sport

01/08/2014 12:30

Ish mbrojtësi i Manchester Unitedit dhe Interit, Mikael Silvestre ka lavdëruar Cristiano Ronaldon por thekson se braziliani Ronaldo ishte futbollisti më i mirë me të cilin ka luajtur.

Francezi, i pensionuar, pati nderin të luajë me dy ikonat në fjalë gjatë karrierës si futbollist, duke u paraqitur së bashku me heroin e Kampionatit botëror 2002 në Inter dhe yllin portugez në Manchester United.

“Ata të dy ishin të mrekullueshëm. Ata të dy ishin bashkëlojtarë shumë të mirë dhe më e rëndësishmja persona të mirë”, deklaroi Silvestre për “Goal.com”.

“Por, braziliani Ronaldo ishte fenomenal. Ju nuk mund t’i krahasoni ata sepse njëri ishte numër 9 e tjetri futbollist i krahut. Ata luajnë në stile dhe pozita të ndryshme. Por, Ronaldo ishte futbollisti më i mirë me të cilin kam luajtur për shkak se ishte talent natyral. Edhe kur ishte i lënduar dhe i mbipeshë, ai prapë ishte po aq i mirë”, përfundoi ai.