Fëmijët nga Kosova nuk mundë ta kalojnë kufirin me Maqedoni pa pasaportë

Qytetarët e Kosovës nën moshën 16 vjeçare, të cilët ia mësyjnë ta kalojnë kufirin me Maqedoninë, nuk mundë ta bëjnë atë pa pasaportë, edhe pse u bë katër muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Kosovës për kushtet për udhëtim të shtetasve të dy vendeve me letërnjoftime.

Lajme

04/08/2016 16:23

Qytetarët nën moshën madhore, të cilët nuk kanë letërnjoftim, janë të obliguar prapë të kenë pasaportë, pasi që me dokument tjetër identifikimi siç është certifikata e lindjes, nuk mund ta kalojnë kufirin.

Shumë familje janë detyruar të kthehen në kufi për këtë arsyeje.

Edhe në Ministrinë për Punë të Brendshme të Kosovës. e konfirmojnë se personat nën moshën 16 vjeçare, nuk mundë ta kalojnë kufirin pa pasaportë.

Zëdhënësja e MPB-së, Rroksana Qarri për lajmi.net tha se shtetasit e Kosovës, për të udhëtuar jashtë vendit, u duhen dokumentet e njohur ndërkombëtarisht.

“Dokumentet e vlefshme të udhëtimit për shtetasit e Republikës se Kosovës janë Pasaporta, pasaporta diplomatike, pasaporta zyrtare, fletudhëtimi-dokumenti i udhëtimit për kthim, dokumenti i udhëtimit grupor, dokumentet e udhëtimit qe lëshohen me marrëveshje ndërkombëtare si dhe libreza detare”, tregon Qarri.

Duke shpjeguar rastin e marrëveshjes për lëvizje të lirë mes Kosovës dhe Maqedonisë, Qarri tha se vlenë vetëm për persona mbi moshën 16 vjecare që janë të pajisur me letërnjoftime, ndërsa për fëmijët nën këtë moshë, sipas saj, nevojitet pajisja me pasaportë.

“Fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të udhëtojnë në Republikën e Maqedonisë vetëm me pasaportë, ndërsa fëmijët mbi moshën 16 vjeçare mund të udhëtojnë me pasaportë ose me letërnjoftim”, tha për lajmi.net Rroksana Qarri./lajmi.net