Fëmijët përfunduat në spital, nga rrahja e mësuesit të dehur

U desh që fëmijët të përfundonin në spital me hematoma në kokë dhe në trup, që të zbulohej skandali i shkollës fillore të Orzhanovës.

Lajme

11/03/2016 13:23

Pas publikimit të skandalt në media, 62 vjeçari Agim Muça, mësues në këtë shkollë, u arrestua nga policia, por në shkollë paska ekzistuar edhe Komisioni i Disiplinës. Kjo strukturë është mbledhur për të shkarkuar mësuesin që në fakt gjendet i izoluar në qelitë e Komisariatit.

Prindërit e fëmijëve treguan se mësuesi dehej deri në orën 12 dhe pastaj shkonte në shkollë. Sipas tyre kjo nuk ishte hera e parë që ai rrihte fëmijët. Madje denoncimi i dhunës është bërë që më datën 4 mars nga familjarët e nxënësve të dhunuar.

Agim Muça nuk i kishte pranuar akuzat e familjarëve, por në një bisedë me eprorët, ai kishte pranuar se i rrihte nxënësit.

Në vend që të merrte masa për këtë pasivitet kriminal të drejtuesve të Drejtorisë Arsimore, një ditë më parë Lindita Nikolla fliste para televizioneve sesi fëmijët kishin dalë nga spitali dhe nuk kishin plagë të rënda, por ishin thjesht të shokuar.