Fëmijët e stafit të KEDS fillojnë kursin në elektrikë dhe robotikë

Tridhjetë fëmijë të moshave 7 deri 10 vjeç këtë javë kanë nisur hapat e parë në programin edukues KEDS Kids Academy, ku ata do të marrin mësime bazike në elektrikë dhe robotikë.

Lajme

04/07/2018 11:46

Deri në fund të gushtit programin 2 javor do të ndjekin 150 fëmijë nga distrikti i Prishtinës dhe programi është duke u zhvilluar në qendrën e trajnimit në KEDS.

Më vonë, ky trajnim do të zgjerohet edhe për fëmijët e punëtorëve të distrikteve të tjera, me synim që të shndërrohet në një program falas për të gjithë fëmijët e Kosovës.

Kurrikula dhe ligjërimi për KEDS Kids Academy është zhvilluar në bashkëpunim me Cacttus Education.

Trajnimi dyjavorë parashihet të jetë mundësi e mirë për orientimin e fëmijëve në të ardhmen, nëse ata duan të studiojnë për teknologji informative dhe robotikë.

Përkrahja e komunitetit në fushën e edukimit mbetet angazhim i përhershëm i KEDS, i filluar që nga koha kur kompania kishte nisur operimet, përmes programit të quajtur KEDS Academy.

Nga 5 gjenerata të akademisë, janë trajnuar rreth 250 studentë të universiteteve publike dhe nxënës të drejtimeve elektroteknike. Gjatë kësaj periudhe, ata kanë ndjekur programe 1 vjeçare të avancimit të mëtutjeshëm edukativ dhe profesional, duke u pajisur edhe me certifikata të njohura ndërkombëtarisht nga universiteti i mirënjohur Bogazici nga Stambolli.

KEDS Kids Academy është një program edukimi që jepet falas./Lajmi.net/