Fëmija i parë i çiftit është më inteligjent

Fëmijët më të mëdhenj janë ata më inteligjentët. Një studim gjerman shpjegon arsyen. Sipas tij, koeficienti i intelektit (IQ) ulet me 1,5% për çdo vit. Pra, te fëmijët pasues inteligjenca sa vjen dhe ulet. Universiteti i Leipzigut sjell të dhëna tepër interesante për këtë çështje

Fun

02/08/2017 23:42

Mes vëllezërve e motrave, talljet nuk mungojnë asnjëherë: kush është më i zoti? Kush është më inteligjenti nga të gjithë? Përgjigje pyetjes së fundit i jep një studim gjerman, sipas të cilit fëmija më i madh ka një inteligjencë më të lartë sesa vëllai ose motra më i/e vogël. Ndryshimi varion (koeficienti i intelektit ulet me 1,5% për çdo të ri të lindur), por gjithsesi i mjaftueshëm që i linduri i parë të mburret.

Studimi gjerman

Kërkuesit e Universitetit të Leipzigut kanë analizuar tri studime që kanë përfshirë më shumë se 20 mijë persona nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Të dhënat e marra në konsideratë përfshinin rezultatet e testit të personalitetit dhe të inteligjencës.

Në bazë të studimit, koeficienti i intelektit ulet për nga niveli pas fëmijës së parë. Ndërkohë që, për sa i përket personalitetit mes vëllezërve dhe motrave, nuk është vënë re asnjë ndryshim, edhe pse studime të mëparshme kanë sugjeruar se rendi i lindjes ndikon edhe në tiparet e karakterit.

Shkencëtarët nuk janë ende në gjendje të shpjegojnë këtë lloj ndryshimi mes tyre.

Pra ato që mbesin janë vetëm hipoteza. “Një teori është që fëmijët pasues marrin vëmendje të paktë nga ana e prindërve. Ndërkohë që i pari i fëmijëve merr thuajse të gjithë vëmendjen e tyre, të paktën për disa muaj ose vjet derisa vijnë më të vegjlit”, shpjegon studiuesja Julia Rohrer.

Por ka edhe një faktor tjetër të mundshëm: “I linduri i parë mëson dhe zhvillon thuajse një funksion ‘tutori’ ndaj më të vegjëlve të familjes, duke u demonstruar se si funksionon bota”. Ky komponent mësimdhënieje mund të ketë një rol të rëndësishëm në stimulimin e inteligjencës së fëmijës.

Mësimdhënia kërkon zotërimin e aftësive njohëse: të vegjlit duhet të sjellin në mendje njohuritë e tyre, t’i strukturojnë dhe përpunojnë në mënyrën më të drejtë për t’i shprehur dhe për t’ua bërë të tjerëve të kuptueshme. E gjitha kjo u jep inteligjencës së tyre një kontribut të madh, shton Rohrer. Një inteligjencë, për të cilën mbase duhet të falënderojnë vëllain më të madh ose motrën më të madhe.

Studimi britanik

Fëmija i madh, sipas një studimi britanik të Universitetit të Essex, janë ata që kanë më shumë mundësi për t’ia dalë në jetë, sidomos nëse janë femra. Ky përfundim u arrit pasi u monitoruan 3552 persona pjesë e një sondazhi anglez, lidhur me arritjet në jetë dhe suksesin. Rezultoi se fëmijët e mëdhenj ishin më ambiciozë sesa më të vegjlit dhe në veçanti femrat.

Drejtuesja e studimit, Feifei Bu, thotë: “Ndodh që me fëmijën e parë prindërit investojnë më shumë kohë dhe energji ose thjesht fare fëmijët e mëdhenj mund të jenë më inteligjentë”.

Ky studim me siguri që nuk do i kënaqë fëmijët e vegjël, por shembulli se të mëdhenjtë janë më të zotët është i faktuar, pasi Barack Obama, Angela Merkel, Oprah Winfrey, Mick Jagger etj., janë që të gjithë fëmijët e parë, për të vijuar më tej me Kate Middleton dhe Beyonce. /Lajmi.net/