Fellaini te Milani? Ja çfarë thonë kuqezinjtë

Pasi fitoi vendin e gjashtë në Seria A dhe siguroi pjesëmarrjen në “Europa League” nga dera e parë, pa kaluar nëpër preliminaret, Milani mund të përqëndrohet në planifikimin e sezonit të ardhshëm.

Sport

21/05/2018 10:03

Drejtori i sportiv kuqezi e ka dhënë tashmë një sinjal të parë të rëndësishëm të merkatos, duke thënë për mikrofonat e “Sky Sport”: “A na intereson Fellaini? E dimë se është një lojtar i madh. Po ashtu, e dimë se nuk e ka rinovuar kontratën e tij me klubin aktual. Sezoni po mbaron, por nuk mund të themi se është një negociatë e mbyllur. Ka parametra të rëndësishëm, ne do të bëjmë diçka në atë rol, me angazhimin më të madh”.

Massimiliano Mirabelli vazhdon duke folur edhe për Donnarumma e Suso: “Gigio asnjëherë nuk është nxjerrë në merkato. Të gjitha lëvizjet që kemi bërë e llogarisin atë në ekip, bashkë me Suso. Po sikur të paguhet klauzola e largimit, e parashikuar në kontratë? Për ne nuk është në merkato, por agjenti i tij do të vendosë”.

Mes fjalëve të planifikimit të sezonit të ardhshëm, në vijim, drejtori kuqezi konfirmon trajnerin Gattuso: “Ne do të fillojmë nga këtu, nga ky entuziazëm i trajnerit. Presim të bëjmë pak përforcime, por funksionale, duke përfshirë edhe një mesfushor dhe një anësor. Na duhen lojtarë me përvojë, të cilët mund të ketë 24-25 vite moshë. Sot, në tryezë, kemi biseduar rreth 4 orë me Fassone dhe së shpejti do të takohen përsëri. Ne jemi të rinj dhe kemi nevojë për të forcuar veten”.