Feja e kombi sot ishin një, xhamia që frymoi kuq e zi

Atdheu e besimi janë shkrirë në një, në ditën kur shqiptarët shënojnë 102-vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë.

Lajme

28/11/2014 22:15

Minarja e xhamisë së Kraishtes së Lipjanit pos që ka shërbyer për ezanin, ka frymuar kuq e zi. 

Flamujt kombëtarë, veshjet tradicionale dhe plisat e bardhë kanë qenë imazhi kryesor i xhamisë së fshatit këtë të premte të 28 Nëntori, raporton KTV. 

Bashkë më qindra besimtarë me plisa në kokë, në sexhde janë përkulur edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kreu i Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe ish-kryetari, Shukri Buja. 

Tërnava, duke uruar festën e Flamurit Kombëtar, ka bërë thirrje që shqiptarët të mos i lëshojnë trojet e tyre.

E, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka theksuar se pos që duhet të kujtojmë të kaluarën e lavdishme të shqiptarëve, duhet të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për të ardhmen.  

E në cilësinë e gjeneralit, xhematit i është drejtuar Shukri Buja, i cili për disa vjet ka udhëhequr Lipjanin.