FC Prishtina – Dallku, arrihet marrëveshja e re

Armend Dallku do të vazhdojë si futbollist i FC Prishtinës.

Sport

15/08/2018 15:11

Vetëm pak ditë para se të startojë edicioni 2018-2019 i IPKO Superligës në Kosovë, skuadra e Prishtinës ka arritur akordin për të mbajtur edhe për një sezon në gjirin e ekipit, mbrojtësin me eksperiencë Armend Dallku.

Pavarësisht ofertave nga skuadra të ndryshme të Superligës së Kosovës, 35-vjeçari i qëndroi bensik bardhebluve dhe do të vijojë punën nën urdhrat e Mirel Josës, deri në fund të sezonit që pritet të startojë këtë fundjavë.

Armend Dallku i është bashkuar Prishtinës në verën e 2016-ës dhe që prej asaj periudhë numëron një numër të konsiderueshëm ndeshjesh me kryeqytetasit, ku përveç kontributit të madh në prapavijë, ka arritur të shënojë edhe 8 gola, e të asistojë 7 të tjerë, transmeton “SS”.

Kujtojmë që Dallku e ka nisur karrierën si profesionist pikërisht te Prishtina në sezonet 2002-2004, për t’u transferuar më pas për një sezon te Elbasani dhe 11 të tjerë te ukrainasit e Vorslka Poltavës. Në karrierën e tij Dallku ka veshur edhe fanellën kuqezi, për plot 64 takime.