Faza e tretë e demokracisë kosovare

Mëkëmbja e shpresës politike në Kosovë, është Pika kryesore e çdo ndërmarrje politike në vend, e cila do të duhej të bashkonte të gjitha subjektet politike.

Opinion

09/04/2015 13:09

Më besoni: Nuk ju besoj më!

Mbase kjo do të ishte fjalia më e sinqertë që shfaqë raportin e një qytetari/votuesi të rëndomtë të Kosovës ndaj politikës së vendit. Mëdyshja e këtij qëndrimi do të mund menjëherë të klasifikohej si një tjetër shembull i refuzimit të realitetit, i kundërshtimit të ballafaqimit me realitetin, tipar ky mbizotërues tek politika kosovare e viteve të fundit. Zaten, po të ishte ndryshe, nuk do të bëheshin premtimet krejtësisht të kota parazgjedhore në pranverën e vitit të shkuar, nuk do të ndodhte paraliza politike që pamundësoi krijimin e institucioneve qendrore të vendit për gjashtë muaj të plota, nuk do të krijoheshin rrethanat kur parimi i vetëm politik në Kosovë është ai që pohon mungesën e plotë të çfarëdo parimi.

Mëkëmbja e shpresës politike në Kosovë, është, mbase, Pika kryesore e çdo ndërmarrje politike në vend, e cila do të duhej të bashkonte të gjitha subjektet politike në Kosovë. Pa ndodhë diç e tillë, vështirë është të imagjinohet që qytetarët e Kosovës do të kthejnë besimin që ky vend, mund të vijë në vete, dhe që do të ndalet teposhtëza politike dhe ekonomike e këtij shteti.

Në jetësimin e Mëkëmbjes së shpresës politike, realisht, do të duhej të kishin hise të gjitha entitetet politike të vendit, dikush më pak, e dikush më shumë. Ndërsa atmosfera e tashme politike në vend, nuk premton gjë tjetër pos thellimin e konfrontimit politik, me pasoja të paparashikueshme për Kosovën.

Zaten, a ka paradoks më të madh, poqëse fenomenet politike analizohen nga ky dimensioni bazë i politikës në një vend demokratik, që dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të vitit 2010 dhe këto të vitit 2014, nuk zgjidhën problemet ekzistuese politike, por i shtuan ato.

Realisht, politika kosovare do të duhej të bëhej gati qysh në vitet 2011, 2012, për hyrjen në Fazën e re, të tretën me radhë, prej instalimit të demokracisë parlamentare në Kosovë, në vjeshtën e vitit 2000, kur tek ne u mbajtën zgjedhjet e para demokratike për qeveritë lokale.

Faza e parë ka qenë ajo e viteve 2000 – 2007, kur zgjedhjet në Kosovë mbaheshin për një pushtet të kufizuar, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë komunal  (për shkak të pranisë së Administratës Ndërkombëtare), dhe kur qëllimi kryesor i tyre, në fakt, ishte seleksionimin e një lidershipi që do ta kishte legjitimitetin e plotë për marrjen e vendimeve të mëdha që përkonin me përmbylljen e statusit të Kosovës. Zatën, ku kujtohet, edhe fushatat e asokohshme, nisnin dhe soseshin me fjalët e krye-politikanëve të vendit për Kosovën si shtet të pavarur, i cili pastaj do të integrohej në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Faza e dytë e zhvillimit të demokracisë parlamentare në Kosovë, ka nisë me 17 shkurtin e vitit 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me 9 prill të po atij viti.

Në këtë mënyrë, ndodhi dyzimi i segmentit të legalitetit të ri me atë të legjitimitetit politik, i cili duhej të sillte një cilësi të re politike në vend, tok me përgjegjësitë e reja që ishin reflektim i shpalljes së pavarësisë.

Megjithatë, dihet që pavarësia e Kosovës, deri në shtatorin e vitit 2012, e kishte edhe atë aspektin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, e cila ka mundur të shërbejë si justifikim (goxha i kotë duhet shtuar këtu), për mungesën e një ndërmarrjeje gjithëpërfshirëse politike, e cila do të kishte për synim një kërcim kualitativ politik në vend. Diçka e tillë, duhet të përgatitet edhe ligjërisht. Me sistemin e tashëm zgjedhor në nivelin lokal dhe atë qendror, i cili tashmë është sprovuar si burim i prodhimit të një cilësie të dobët politike (mbi të gjitha, për shkak të manipulimeve të mëdha brenda listave të kandidatëve për deputetë dhe asamblistë), nuk mund të kalohet dot në këtë Fazën e tretë të zhvillimit të demokracisë në Kosovë. Politika kosovare ka humbur kot së koti vitet 2011, 2012, pa bërë gjë prej gjëje në përgatitjen e kësaj periudhe të re politike në vend. Asaj i ka munguar dija, vullneti dhe guximi për t’i bërë ndryshimet e domosdoshme të sistemit zgjedhor në vend, të cilat do t’i çelnin udhët që Kosova të ketë një politikë më cilësore.

Çfarë ka mbetur pa u bë në ato vite, duhet bërë patjetër në vitet 2015, 2016. Ama nuk ka  asnjë shenjë që diçka e tillë do të ndodhë në muajt e ardhshëm.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)