Fatmir Limaj: Rasti Haradinaj tregon gjendjen ku jemi si shtet

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se ndalimi i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj në Francë është rrënim i dinjitetit dhe maltretim.

Lajme

12/01/2017 19:00

Sipas tij, ky rast tregon më së miri gjendjen ku jemi si shtet.

Limaj në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine  ka deklaruar se ekstradimi i Haradinaj në Serbi është i pamundshëm si ligjërisht, ashtu edhe politikisht.

“Esktradimi praktikisht është i pamundur, si në atë ligjor dhe politik. Me Konventën e Vjenës, nuk ka mundësi të ndodhë ekstradimi në shtetin e tretë, kjo ndodh në bazë të një marrëveshje mes shteteve”.

“Në aspektin ligjor është e pamundur, e poashtu edhe në atë politik, fletë-arresti dhe koha kur është lëshuar tregon mjaftueshëm, Haradinaj ishte në Hagë për këtë”.

Ai ka thënë poashtu se Serbia me rastin Haradinaj ka dashur të tregojë për pozicionin politik por që sipas tij, ka diçka tjetër shqetësuese.

“Serbia do të na tregojë se është forcuar pozicioni politik, respektimi i fletë-arrestit nga shtetet tjera është shqetësuese dhe tregon pozicionin politik të Serbisë”.

Kreu i Nisma për Kosovën ka folur edhe për mundësinë se si mund të pastrohet lista e kërkimit të personave në INTERPOL.

“Kur është fjala të INTERPOL-i, heqja e këtyre listave mund të ndodhë vetëm në dy mënyra, e para është që bisedimet me Serbinë të jetë kusht dhe e dyta, përmes marrëveshjeve bilaterale me secilin shtet që na ka njohur”.

“Të qenit anëtar nuk nënkupton heqjen e fletë-arresteve. Kjo është çështje institucionale dhe këto institucione nuk kanë bërë asgjë në pesë vjet bisedime me Serbinë”.