Fatkeq në lojë apo dështues në organizim!?

Shqipëria, vendi ynë i dashur që në arenën ndërkombëtare kishte krijuar profilin e vendit të tolerancës, mikpritjes, bujarisë; tanimë ky imazh përmbyset. Imazhi i ri që krijohet është ai i një vendi të frikësuar që blindohet nga efektivë policie në rast evenimentesh sportive.

Opinion

17/11/2016 18:22

Shkruan: Besmir Pula

Ka mjaftuar vetëm organizimi i një ndeshje futbolli ,që i gjithë vendi ynë të blindohet me forca policore të armatosura deri në dhëmbë. Në ndeshjen e zhvilluar në Elbasan Arena gjëja e fundit që bie në sy është ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ishin masat e rrepta që u ndërmorën nga shteti ynë ato që bënë bujë. Shkaku i këtij i “shtetrrethimi” mbetet terrorizmi. Në këtë vijë logjike ngrejmë pyetjen: A mos ndoshta këto masa ishin disi  të ekzagjeruar? Pa kurrfarë mëdyshje këto masa  e kalonin normalitetin në një ndeshje futbolli.

Ajo që vlen të theksohet është harbutëria e efektivëve të rendit. Vajtja në stadium u kthye në një torturë të vërtetë. Shumë rrugë u bllokuan për faktin e vetëm që të kalonte kombëtarja izraelite. Por që të hyje në stadium duhej t’u nënshtroheshe një sërë kontrollosh të cilët në disa raste degradonin deri në shtyrje dhe ofendime nga ana e punonjësve të policisë. Sportdashësit ishin të detyruar që të qëndronin në shi për të përfunduar me sukses kontrollet idiote, në të kundër nuk lejoheshin të hynin në stadium.

Siç duket absurditeti nuk ka të mbaruar. Tifozët  nga Maqedonia që mbështesin Kombëtaren janë ndaluar që të vijnë. Nëse të tjerat do mundoheshin ti përtypnim, kjo është padyshim e tepërt. Mos ndoshta edhe krijimi i kësaj klime pasigurie ishte faktori që stadiumi mbeti bosh? Atëherë përgjegjësia e mos mbushjes së stadiumit rëndon mbi organizuesit e kësaj ndeshje. Masa sigurie të tilla nuk ishin parë as në ndeshjen kundrejt Serbisë që barte konfliktin historik ndërshekullor e as në ndeshjen me Francën që rreziku terrorist ishte më konkret se  kurrë.

Shqipëria, vendi ynë i dashur që në arenën ndërkombëtare kishte krijuar profilin e vendit të tolerancës, mikpritjes, bujarisë; tanimë ky imazh përmbyset. Imazhi i ri që krijohet është ai i një vendi të frikësuar që blindohet nga efektivë policie në rast evenimentesh sportive.