“Fatin e titullit e vendosën gabimet e gjyqtarëve”

Elseid Hysaj është rikthyer të flasë për titullin e Serisë A, që duket se edhe këtë sezon do të fitohet nga Juventusi. Mbrojtësi shkodran i Napolit pranoi se tashmë kjo çështje është mbyllur, por theksoi se vendimet arbitrare në Inter-Juventus, vendosën fatin e betejës mes bardhezinjve dhe napolitanëve.

Sport

12/05/2018 20:56

“Të them të drejtën të gjithë besonim te titulli, pas ndeshjes së fituar në Torino ndaj Juventusit. Në atë mbrëmje treguam se ishim shumë më të mirë se kundërshtari, duke i mbyllur në gjysmëfushën e tyre bardhezinjtë. Gjithsesi, teksa shikonim një javë më vonë sfidën Inter-Juve, dhe ato gabime të arbitrave, u ndjemë shumë keq dhe humbëm besimin se mund të bënim përmbysjen e madhe. Mendoj se pikërisht ajo mbrëmje ishte vendimtare në përcaktimin e fituesit në luftën për titull”, deklaroi Hysaj.

Më pas mbrojtësi shkodran vlerësoi skuadrën e Napolit dhe tha se nëse do të qëndronin të gjithë, vitin e ardhshëm do të bënin edhe më mirë, për të mos I lënë gjërat për në javët e fundit.

“Jam shumë i bindur te cilësitë e lojtarëve të Napolit. Nëse vijojmë të qëndrojmë të gjithë, por edhe me ndonjë përforcim, besoj se vitin e ardhshëm do të bëjmë akoma më mirë, për ta fituar titullin sa më shpjet të jetë e mundur”, u shpreh Elseid Hysaj.