Fati mizor i shkrimtares së parë shqiptare: Në 33 vjet izolim punoi si kafshë për një copë bukë

Ishte viti i ri. 1 janar 1977. Në një dhomë të varfër, në barakën e saj, në një skaj të mjerë të Shqipërisë, i denjë për një vend vuajtjeje internimi, Musine Kokalari është në prag të pensionit, e shkatërruar nga puna dërrmuese, e zhgënjyer nga realiteti ku ishte zhytur atdheu i saj, me plagë të pashlyera të dhimbjeve e humbjeve familjare, e izoluar dhe e rrethuar me spiunë e njerëz të Sigurimit, por me forcën dhe aftësinë për të ngritur përreth vetes botën e saj të përkorë me dritën e diturisë, kulturës dhe mësimeve të shkollës së saj, Rilindjes…

ShowBiz

10/02/2017 11:52

Gjithë këtë tablo ajo e hedh në ditarin e saj, në bllokun e shënimeve që e ka titulluar “Jeta ime në Rrëshen gjatë 33 vjetëve revolucion”. Nga ky ditar, mbesa e Musinesë, Arjeta Kokalari ka zbardhur disa faqe për t’ia prezantuar publikut të gjerë. Shënimet i përkasin pikërisht 1 janarit 1977.

“Këto dorëshkrime janë pjesë nga shënimet e Musine Kokalarit, të mbajtura gjatë kohës kur jetonte e internuar dhe e izoluar në Rrëshen”, shkruan Arjeta Kokalari, ndërsa sjell për Shqiptarja.com disa fletë të fotografuara nga këto shënime, të cilat 40 vjet më vonë, na sjellin shumë të prekshëm, një copëz realitet nga jeta e hidhur e kësaj intelektualeje të kulluar.

Pjesë nga ditari i Musine Kokalarit “Jeta ime në Rrëshen gjatë 33 vjetëve revolucion”

Nxënësja e Sami Frashërit, në vetemi kanë kaluar afro 33 vjet revolucion. Në odën time të vogël, ballë meje kam vënë fotografinë e iluministit të shquar Sami, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, punonjësit të gjuhës shqipe dhe të lëvizjes kombëtare Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, mendimtarit Naum Veqilharxhi, të nderuarit De Rada dhe të urtit Aleksander Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm. Jetoj me njerëz të nderuar, të ditur, demokratë që kanë punuar për vendin, për mëmëdheun gjer sa mbyllën sytë. Unë jam nxënësja e tyre.

Kam ndjere dhembjen e përçarjes dhe pata pasojat më të dhimbshme në jetën time. Si furtuna me luftë mbriti revolucioni. Me 12 Nëntor gjatë luftes së Tiranës na muarnë dy vëllezër. Dhe i vrane. Pasoja të naivitetit dhe besimit se nga ta nuk vjen gjë e keqe. I vranë pa bërë gjë. Të parat thika mbas shpine.

…33 vjet me radhë, dallgët e revolucionit më goditën pa ndërprerje. Më ndajtën nga të gjithë. Më izoluan. Nga gjiri i familjes më shkëputën përgjithmonë. Lidhjet u dobësuan. Më duket sikur s’kam qenë kurrë midis njerëzve. U ndava nga ambienti kulturor, duke jetuar me njerëz me fytyrë njeriu po më keq se kafsha. Në fqinjësi që kanë krijuar një batak. Në punë që më shfrytezuan si një kafshë për një copë bukë, sa u detyrova dhe e lashë vetëm një muaj para pensionit. Më lajmeroi Komiteti Ekzekutiv të veja dhe të kërkoja punë tjetër. Donin që unë të kërkoja punë tjetër…..

…Këto ri e mendoj sot në ditën e parë të vitit 1977 në odën time, ballë mesonjësve të mi të nderuar. Isha dhe mbeta nxënësja e tyre. Kështu kaloi një jetë njeriu që dëshironte punën, kulturën, bukurinë e jetës në formimin e njeriut demokrat, modest, të pastër në ndjenja, të thellë në mendime…

1 janar 77. Unë u formova me bindjen e thellë të kulturës humaniste që e lartëson njerinë si individ dhe në mardhënie me të tjerët në shoqëri dhe në punë. U formova në ambientin tim familjar dhe shoqëror me respektin për çdo punë.

Kam qenë brezi i fundit i gjithë trashëgimtarëve të Rilindjes që jetuan në kohën e ngritjes së flamurit në 1912 dhe në rrethanat e trubullta, shqetësuese të vendit ndoqën në mënyrë individuale rrugën e kulturës kombëtare, laike, demokratike. Unë jam nxënësja e fundit e formuar në atë shkollë, me konceptin e shëndoshë që atdheu mbrohet me kulturë, me qendrim parimor për barazinë ekonomike politike të njeriut modest të punës.

Bashkëkohës, që në jetën e shkurtër si njeri i lirë kam ecur krah më krah me brezin e vjetër si Sotir Kolea, Mati Logoreci, Ibrahim Shyti, Aleksandër Xhuvani, Kristaq Cipo, nxënëse e Urani Rumbos, Sevasti Dakës dhe Parashqevi Kyriazit, duke u prirë për të renë në jetën shoqërore, për një jetë të pasur në ndjenja e mendime e punë të njeriut të thjeshtë, si vazhdimësi e gjithë trashëgimisë kulturale popullore të trashëguar brez pas brezi. Krijimtaria ime e shkurtër, pjesërisht e botuar, pjeserisht e humbur u mbështet mbi tabanin kombëtar të shtratit etnik dhe në realitetin objektiv të kushteve të veçanta të zhvillimit të diferencuar…

Edukata time është ajo e shkollës së Rilindjes. Gjithë kolektivi arsimor e ka kryer me nder këtë detyrë në kohën tonë, në kohën që u bë unifikimi i shkollave, sidoqë mungonin tekstet e tj. Unë nuk kam njohur varfërinë, nuk kam njohur pasurinë. Ne në familjen tonë të gjithë kemi qenë me shkollë, 3 vëllezër dhe unë katër. Të gjithë kemi punuar dhe kemi kërkuar si e si të përhapim kulturë. Ambienti im familjar ka qenë shumë i thjeshtë dhe i kufizuar në mardhëniet orientuese të kohës, në lidhjet farefisnore e tarafe…

…Nuk kam njohur konflikte shoqërore. Kam njohur burgje në familjen time. Më 1924, vëllezërit e mi shkuan bashkë me të tjeret, pavarësisht se u thyen. Ishin profesore të dy. Muntazi, i madhi ishte kryetar i shoqatës Bashkimi në Gjirokastër. Organizator i foot­bollit. Ai pikturonte mire. Ishte portretist (diletant). Vëllai i dytë vizatonte mirë dhe ai. Merreshin të dy me pirografi dhe kopshtari. Hamiti, me i vogli ishte kryetar i grupit të mandolinistëve, një nga lojtarët më të mirë të tenisit. Ai meresh me akuarel. I binte mirë kitarës. Vetë mësoi fizarmonikën. Në Tiranë dhe pianon.

Babai im ishte avokat. Gjyshi im myfti, bëri çmos që të dy djemtë të ishin me shkollë. Dhe xhaxhai im i drejtësisë ishte. Djali i tij Salimi, mësues, gjer në Paris shkoi me familjen për të vazhduar akoma më shumë, po të lartën s’mundi ta mbaronte se iu shtuan fëmijtë dhe s’pati mundësi…

…Unë trashëgova pasionin e muzikës. Studiova disa vjet pjano. Po emocionohesha shumë. Me 1932 kur vëllai tim ra në burg, une ndjeva një melankoli të madhe, kur veja e shihja midis shokëve të njohur. Dhe atëherë pjanua për mua u bë një torturë. Nuk mundesha të përqendrohesha dhe heshtja. Më vinte ndër mend kalaja në Gjirokastër, kur veja dhe shikoja të mbydhur brenda të dy vëllezërit, me dy shokë të tjerë. Më ngjethej mishtë në korridoret e ftohta kur kaloja. Kur dilja jashte, dridhesha nga një mundim i brendshëm. Dhe nuk mund të gëzohesha. Ky shqetësim më pushtonte dhe në vitin 1932 nuk mund të luaja pjano. Pasioni tim u kthye në stërmundim dhe në një mbyllje në veten time.

Frau Gertruda, një gjermane, u alarmua. Ajo kishte zakon që nxënëset që s’i bënin mirë ushtrimet i qëllonte me një shkop të hollë dhe bërtitte. Me mua, pas gjendjes së dëshpëruar time ajo ndjente keqardhje. Kur gaboja, i binte anës së pjanos. Sa pa lot bërtitte. Pastaj me mirrte me te mira: “Ma petite pourqoi?” dhe vazhdonte me frengjishten, duke pjetur se ç’më mundonte. Unë dridhesha, më mbusheshin sytë me lotë. Dhe heshtja. Mundohesha ta kuptoja pse njerëzit duhet të punojnë, të përpiqen fshehtas. Pse të futen në burg, se duan një gjë të drejtë.

Kjo gjendje e nderpreu hovin e parë dhe shpresën e madhe që kishte frau Grtruada që të më bënte një pjaniste të madhe. Dhe mua më pëlqente vizatimi. Në ekspozitat vjetore të shkollës paraqitesha me pamje të trishtuara të natyrës, me kënde të vetmuar, punuar me karbon. Ngjyra e zezë më mbërthente dhe s’më lëshonte.

Në një udhëkryq të një krize ideologjike demokracie u rrita, në mes ta ambientit intelektual të kohës së rinisë time që mundohej të gjente rrugën për t’ja përmirësuar gjendjen e vajtueshme të popullit, me ndjenja të thella njerëzore.

Lëvizjen e fshehtë revolucionare nuk e kam kuptuar kurrë. Dhe sot që jam ndeshur me revolucionin në çdo aspekt të jetës sime, prapseprapë une mbeta në luftën e hapët politike.

Mendime të çastit më vinë në kokë sa herë që shoh veten, ose rri në odë dhe s’më lexohet. Shikoj me sytë e mendjes dhe peshoj gjithë sa ka ndodhur në jetën time dhe rrotull meje.

Ky revolucion përmbysi çdo gjë që kishim trashëguar nga e kaluara. Vazhdimisht është një luftë shoqërore me njerëz që një çikë ndahen, bien thyejnë hundët. Është një gjyq i pandërprerë që bëhet me të gjallët, me të afërmit, me të njohurit dhe me të vdekurit. Sa njerëz në rrugën e nisur e kanë ndihmuar në kuptimin e vërtetë zhvillimin shoqëror dhe sa prej tyre, në emër të këtij zhvillimi e kanë pënguar atë. Mardhënie të ndërlikuara.

Në mendjen time kam menduar vazhdimisht se dobësia e shtresës demokratike që u gjend në kontradiktë të hapur me regjimin e sotmë duhet të kishte ruajtur solidaritetin në dinjitetin personal, duke i bërë ballë punës së krahut, duke punuar në kushte e duke jetuar në mënyrë modeste. Dhe përse valle duhet t’i shmangeshim kësaj rruge kur gjithçka që menduam e vepruam nuk e bëmë për ndonjë interes personal. Gjersa na e dhanë punën e krahut pse të trembeshim, duke humbur atë nevojë morale që duhet të na lehtësonte këto kthesa të rënda në jetën tonë?. Duhet të mbanim lidhjet tona. S’kishim asgjë për të humbur më tepër dhe asgjë për të fituar. Pse u shkëputëm?

Unë në hallet e mia, asnjë çast nuk u ndava me mësuesit e jetës që në mes të një realiteti të mërzitshëm kam bërë çmos t’i kem pranë, për t’i bërë ballë poshtërsisë së jetës dhe padrejtësisë që më bënë, për të ngrëne një copë bukë. Shkolla e ndritur e Rilindjes nuk duhet të njolloset. Unë jam nxënëse e fundit dhe gjer në fund, gjer në vdekje do të mbetem një demokrate e thjeshtë, një punëtore e thjeshtë e punës së krahut dhe e pendës. Mendimet e errëta, shpirtngushtët, i kanë të radha rezet e dashurisë.

Brezi i jonë është një brez fatkeq. U ndodh midis dy epokave. Midis të kaluarës dhe përmbysjeve të mëdha shoqërore. Me sa kam parë, gjithë ata që duallnë nga radhët e tyre, që rrëshqitën vetë, apo për shkak të prindërve të tyre nuk dalluan një farë dinjiteti. Gjithë shëmtime dhe qëndrime të pahijshme. Ne të shkollës së Rilindjes dhe ata që vinin nga ambiente tradicionale i kemi bërë ballë gjendjes më me urtesi. Dhe kush u mor me informacion, nuk dëftoi një fytyrë kaq të shëmtuar, si bënë këto vajza me hajdutllek…

(Emer) është tepër e ulët. Dhe kur e ngritën, shpirtin prej matrapazeje nuk diti ta fshihte. Ajo është një e tërbuar. Deformacioni fizik u shpreh në gjithë qenien e saj, në kuptimin moral, psikik. Po ama dhe burri që ia prunë nuk është vetëm një injorant, por dhe kapadai. I duket vetja se po na i hedh. Një gjë di të thotë: Filani është spiun, filani tjetër është i lidhur me sigurimin. E di i shkreti, e sheh që nuk e qasa fare. E kupton se jo vetëm dyshoj po dhe është qesharak…

***

Një e vërtetë e hidhur! Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të mërrnin një vend të mirë në jetën e lirë.

Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, sa që persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.

Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë.

***

I studiova njerëzit e vrazhdë, të paditur në punën e rëndë të ndertimit, jo me romantikën demokratike të dikurshme. Gjithësekush për vete, pa asnjë shenjë solidariteti. Përkundrazi, kush e kush t’ja hedhi duke thënë se unë punoj dhe tjetri s’punon….