Fati deshi që ne ta publikojmë ekzistimin e UÇK-së (video)

Rexhep Selimi tregon për lajmi.net ditët e para të daljes publike të UÇK-së. Në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë, Selimi shpjegon vështirësitë që kishin të luftonin kundër propagandës anti-UÇK të asaj kohe. 

Lajme

28/11/2014 16:33

Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, periudhë kur shqiptarët e Kosovës po ngulfateshin nga pushtimi serb i Sllobodan Millosheviqit, kishte pak lajme që ngjallnin shpresën e tyre për jetë.

Represioni i vazhdueshëm i këtij regjimi pushtues, kishte bërë që shqiptarët e këtyre trevave, ngushëllimin e vetëm ta gjenin duke lënë vendin, për një jetë më të mirë.

Mirëpo, në kohën kur më së paku pritej dhe kur tirania serbe sa vinte e shtohej, kishte dal në opinion lajmi për ekzistimin e disa grupeve guerile ushtarake, që ishin mbledhur së bashku për idealin e lirisë.

Ndonëse ende nuk kishte asgjë publike, në vitet e fundit të kësaj dekade, kishin nisur reagimet e para kundër terrorit serb të ushtruar ndaj popullatës shqiptare.

Në fillim, këto sulme nuk kishin emër zyrtar, edhe pse në mesin e qytetarëve, tashmë dihej se një kryengritje kishte filluar.

Por, ishte 28 nëntori i vitit 1997 kur e gjitha u zbulua. Kjo ndodhi dy ditë pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz, dhe pas sulmeve guerile në Vojnik.

Ishte treshja e përbërë nga Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe dëshmori Mujë Krasniqi, ata që në përvjetorin e ditës së flamurit kombëtar, në fshatin Llaushë të Skenderajt kishin dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës të njohur me shkurtesën UÇK.

Forcat serbe në atë kohë kishin vrarë po në Llaushë, mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe, po në këtë ditë.

Rexhep Selimi kujton atë ditë si shumë të veçantë, por në të njëjtën kohë edhe me përgjegjësi të madhe. Si një i ri në moshë, ai kishte marrë përsipër një veprim historik.

Selimi në një intervistë për lajmi.net, kujton ato momente, duke shprehur vështirësitë që kishin ta bindinin opinionin shqiptar në atë kohë, i cili ishte i kapur në konfuzionin e krijuar nga pushtimi, që ta pranojë ekzistencën e një ushtrie çlirimtare.

Privilegjin për të qenë ndër të parët që publikuan ekzistimin e UÇK-së, Selimi nuk e sheh si një veprim të organizuar, por si një fat që e pati, në mesin e ushtarëve tjerë. 

Lajmi.net: Z. Rexhepi, ju keni qenë shumë i ri në moshë kur keni marr përgjegjësinë për të dal në paraqitjen e parë të UÇK-së. Deri në atë dit, ishte përhapur ekzistimin e kësaj ushtrie, mirëpo, në të njëjtën kohë, kishte pasur zëra që e kundërshtonin dhe hezitonin ta pranonin si një fakt të ri.

Si ishte për ju dita e parë publike e UÇK-së?

Rexhep Selimi: Pa dashur që te ju demantoj, por nuk kam qenë shumë i ri, kam qenë taman për pushkë. Është e vërtet që deri në atë kohë, deri sa UÇK-ja është bërë e prekshme, jo vetëm virtuale, ka pasur zëra ose mëdyshje që ekziston apo nuk ekziston UÇK-ja. Deri këtu do të ishte normale, sikur mos të ishte dhe një fushatë qoftë edhe politike për demantimin e qenies së UÇK-së, pavarësisht se kjo fushatë vinte nga burime të caktuara politike, të cilat e dinin adresën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra ata që thoshin se nuk ekziston UÇK-ja, e njihnin dhe e dinin ku ishte Adem Jashari. Por sidoqoftë, ne arritëm të përballojmë shumë mirë këtë pengesë. Ne kemi arritur ta anashkalojmë, ta tejkalojmë dhe dalja publike e UÇK-së ishte kundërpërgjigjja më e mirë ndaj cilitdo zë që ka dashur ta mohojë qenien e UÇK-së, tendencë e cila, ka qenë jo thjeshtë ta mohojë, por ta parandalojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalja publike e UÇK-së, nuk ka qenë dita e parë e saj, nuk ka qenë beteja e parë e UÇK-së.

Lajmi.net: Sa ishte vështirë për ju që ta transmetoni të vërtetën te populli, dhe a ndikojë kjo paraqitje në këtë aspekt?

Rexhep Selmi: Gjithçka ka qenë e vështirë  dhe do të mbetej e pamundur nëse nuk do të ishte përkrahja e popullit, sepse qytetarët e këtij vendit ne na mbanin. Ndihma e tyre ka qenë e domosdoshme, e pazëvendësueshme dhe po ashtu në ditën e daljes publike të UÇK-së. Mendoj se më publike e ka bërë pjesëmarrja e madhe e popullit për ushtrinë se sa një paraqitje publike që ka ndodhur atë ditë. Pra, zëdhënës më i madh atë ditë ka qenë zëri i popullit sesa ne që kemi pas një detyrë ushtarake për ta kryer.

Lajmi.net: Pse vendosët që ju të dilni së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn në këtë paraqitje, si ndodhi kjo dhe a mund të na jepni detaje?

Rexhep Selmi:  Sa herë flasim për këtë ngjarje, ne kujtojmë protagonistin  më kryesor të kësaj ngjarje, dëshmorin e kombit Mujë Krasniqin, të cilit edhe i ja atribuojmë edhe shumicën e vlerave për të qenë aty, për shkak se, prezenca e tij nuk ishte prezencë vetëm për të dal publikisht, por ishte pasi pushka e tij kishte shkrepur në shumicën e aksioneve të UÇK-së.

Sa i përket pjesëmarrjes tonë, ne kemi qenë tre nga luftëtarët, nuk kemi qenë as më trimat e as më të mençmit se sa të tjerët, kemi qenë pjesë e atyre luftëtarëve dhe fati ka deshtë qe ne ta prezantojmë edhe UÇK-në, por t’i prezantojmë pushkët dhe luftëtarët e UÇK-së. Pra ne nuk dolëm vetëm tre, ne dolëm të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atë dit në skenë.

Lajmi.net: Dihet se sikurse për juve, ashtu edhe për çdo pjesëtar tjetër të UÇK-së ka qenë ideali për liri që e ka mbajtur të motivuar për luftë. A ka pasur ndonjë moment që ju në paraqitjet e para publike të kësaj ushtrie të jeni ndjerë në mëdyshje për mundësitë e realizimit të qëllimit, pra lirisë, duke pasur parasysh forcën që ka pasur armiku?

Rexhep Selimi: Kurrë nuk kemi dyshuar në suksesin tonë, përkundrazi mbi besimin tonë ne kemi qenë ushtarë, mbi besimin tonë ne kemi bërë luftën, pavarësisht raporteve qoftë teknike, qoftë numerike përballë pushtuesit. Ne kemi pasur besim, prandaj jemi futur në luftë, dhe asnjëherë nuk e kemi humbur këtë besim, sepse do të ishte fatal. Edhe sot besojmë që porosia e UÇK-së, patjetër do duhet të realizohet për shkak se porosia e saj është liria, çlirimi, të drejta kombëtare dhe bashkimi kombëtar, si e drejtë e patjetërsueshme e një kombi. Ne besojmë akoma te idealet e UÇK-së, dhe do duhet të vazhdojmë vetëm me ato ideale.

Lajmi.net: Qëllimi i juaj kryesor ka qenë liria e vendit, por a keni pasur qëllime pas çlirimit, dmth për shtetndërtim, a ka pasur konsultime me faktor të ndryshëm politikë vendor dhe të jashtëm për këtë çështje?

Rexhep Selimi:  Qëllimi ose doktrina e UÇK-së ka një indeks, indeksi i saj është betimi që kanë dhënë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe brenda këtij betimi është çlirimi dhe bashkimi i trojeve të pushtuar të Shqipërisë.  Ne jemi tokë shqiptare e ndarë padrejtësisht dhe, përveç çlirimit, ne kemi luftuar për të drejtat tona dhe e drejta jonë është e drejta për tu deklarua dhe për tu ribashkuar me pjesën tjetër të kombit. Pra ka qenë liria dhe bashkimi kombëtar synim dhe qëllim i luftës së UÇK-së.

Lajmi.net: Tash kur e shohim nga kjo perspektivë, ka shumë ish-pjesëtar të luftës që janë ndarë të zhgënjyer nga periudha e pasluftës. Si e vlerësoni ju këtë, ku kishte gabime, dhe është dashur që këto të ndodhin?

Rexhep Selmi:  Luftëtarët janë njerëz idealistë, të cilët mbi idealin e vet, kanë ndërtuar qenien e vet si luftëtar dhe mbi qenien si luftëtar kanë ndërtuar ushtrinë. Dhe mendoj se mbi themelet e kësaj ushtrie do duhej të ndërtohet edhe e ardhmja e lirë e qytetarëve të vendit. Luftëtarët ndihen të zhgënjyer, jo kur ata mund të jenë në një situatë të caktuar, por ata ndihen të zhgënjyer në këtë rast jo përgjithmonë, kur qëllimet e tyre vriten, kur qëllimet e tyre lëndohen ose kur qytetarët për të cilët ata kanë luftuar nuk janë në një gjendje të mirë. Qëllimi i tyre realizohet vetëm atëherë kur qytetarët, vendi, liria janë në shkallën e dëshiruar. Kur Kosova është mirë edhe luftëtarët janë mirë, kur Kosova është keq edhe luftëtarët ndihen keq.

Lajmi.net: Çfarë është dashur të bëjë skena politike dhe shoqëria në përgjithësi për të evituar këto ngecje?

Rexhep Selmi:  Lufta e UÇK-së, dhe luftëtarët e saj, janë një vlerë e kombit shqiptar tashmë, nuk janë vetëm një vlerë e Kosovës, janë vlerë e gjithë kombit shqiptar. Përderisa kjo është një vlerë e çmuar, atëherë mendoj njëkohësisht ka qenë edhe një vlerë pa rojtar, sepse s’ka pasur shtet, po vazhdon akoma që të mos ketë shtet të mirëfilltë për ta ruajtur këtë vlerë. Përderisa një vlerë nuk ruhet, atëherë edhe nga kjo vlerë merret lëndohet dhe po thuajse nga njëherë tentohet për tu tjetërsuar. Kështu për derisa është vlerë, shteti i Kosovës nuk ka arritur ta ruaj mirë, prandaj edhe është vlerë e rënduar e kombit shqiptar.

Dhe për fund, si e shihni faktorin shqiptar në përgjithësi në rajon e më gjerë, tash në këtë përvjetor të festës së flamurit dhe të përvjetorit të publikimit të UÇK-së?

Rexhep Selmi:  Shqiptarët kanë një inercion për tu ribashkuar për shkak se padrejtësisht janë ndarë, shqiptarët po zhvillohen në shtete të ndryshme, gjë që është ndër sfidat më të madhe të zhvillimit të kombit shqiptar. Këto sfida do të tejkaloheshin sikur kombi shqiptar të bashkohet në përputhje me vullnetin e vet, sidoqoftë shqiptarët nuk janë dorëzuar asnjëherë për tu mos u ringritur. Edhe tash vazhdojnë që të zhvillohen, pavarësisht sfidave shumë të mëdha, pavarësisht padrejtësive shumë të mëdha. Njëra ndër padrejtësitë më të madhe është ndarja e dhunshme e tyre, por sidoqoftë, shqiptarët bashkohen edhe fizikisht edhe shpirtërisht, aq më tepër që ne sot po kremtojmë një datë shumë të madhe, datë e cila i bashkon shqiptarët në gjitha trojet e veta. Kudo në pjesë të atdheut festohet dhe shënohet kjo ditë, jo thjeshtë për tu relaksuar, por për tu bashkuar. Kjo datë ka shenja që nga Skënderbeu e deri tek Ismail Qemajli, e nga Ismail Qemajli te Adem Jashari. Kjo datë nuk është data e vetme që na bashkon, por gjithësisë është data simbolike që do t’i mbajë të bashkuar gjithmonë shqiptarët. (lajmi.net)