FARK-u nuk ka ekzistuar kur është biseduar për UÇK-në!

Adem Demaçi e ka konfirmuar se ekziston Marrëveshja e Oslos e arritur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, për ta ndihmuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, Demaçi ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për FARK-un.

Lajme

10/04/2014 14:31

“Mbledhja e Oslos ekziston. Mbledhja e Oslos është mbajtur me qëllim për ta ndihmuar UÇK-në dhe Qeveria e Bukoshit me dhanë para dhe bashkërisht me ndihmua kryengritjen, e cila është zhvilluar në Kosovë nën udhëheqjen e UÇK-së”, ka thënë Demaçi, raporton RTK.

Krahu politik i Ibrahim Rugovës i përfaqësuar nga ish-kryeministri ne ekzil, Bujar Bukoshi dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë insistuar se Marrëveshja e Oslos ishte bërë për t’i vënë UÇK-në nën komandën e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ndërsa, krahu i luftës, të cilin e kishte përfaqësuar Adem Demaçi japin një version tjetër se në Oslo ishin marrë vesh për ta ndihmuar luftën e UÇK-së dhe se aty s’ishte diskutuar për FARK-un.

Megjithëkëtë, para katër ditësh, Xhavit Haliti, në Kuvendin e Kosovës ka thënë se s’ka ekzistuar asnjëherë marrëveshje e Oslos dhe se s’ka pasur kurrfarë FARK-u në luftë. Pas kësaj deklarate, Anton Quni i LDK-së tha se ka ekzistuar edhe Marrëveshja e Oslos, edhe FARK-u i udhëhequr nga ish-ministri i “Qeverisë Bukoshi”, Ahmet Krasniqi, i cili ishte vrarë në shtator të vitit 1998 në Tiranë.

Quni tha se për Oslon duhet të flasë Adem Demaçi, i cili thotë se s’ka asgjë të shkruar nga ajo marrëveshje përveç asaj që janë pajtuar për ta ndihmuar UÇK-në.

“Kur kemi biseduar ne, fjala ka qenë vetëm për me ndihmua UÇK-në.  S’ka ekzistuar fare FARK-u”, ka thënë Demaçi.

“Krejt këto konstruksione që po i bëjnë për FARK-un janë dëshira që atyre që kanë rrasë paratë e Bukoshit dhe kanë tredhur miza në perëndim. Janë vonuar. Ndoshta kanë mendime të mira ata, por janë vonuar”.

Sipas Demaçit, Bukoshi pasi ka dështuar për ta kontrolluar UÇK-në bashkë me disa të tjerë kanë tentuar të themelojnë FARK-un.