Familjarët e të pagjeturve akuzojnë Edita Tahirin

Familjarët e personave të pagjetur kanë akuzuar institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, për mos angazhim të duhur për zbardhjen e fatit për të zhdukurve. Ata kanë akuzuar edhe zëvendëskryeministren Edita Tahiri, për mos informon se çka po ndodh në këtë aspekt.

Lajme

30/08/2014 16:18

Kanë kaluar 15 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovës dhe familjarët e personave të zhdukur ende nuk dinë gjë për fatin e të afërmeve të tyre. Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, institucionet e Kosovës janë kritikuar për mos zbardhjen e fatit të 1675 personave që llogariten si të zhdukur.

Përfaqësuesi i familjeve me persona të pagjetur, Bajram Qerkinaj, në një organizm që është bërë në Drenas me rastin e 30 gushtit, ka akuzuar institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare se nuk kanë bërë sa duhet presion ndaj institucioneve në Serbi për të treguar se ku i kanë dërguar trupat e shqiptarëve.

“Çka po bëhet me të pagjeturit, me premtime, me fjalime të bukura. Asnjë fjalë të zëvendëskryeministres se dëgjuam se çka po bëhet në Bruksel, derisa dje dhe pardje, mua dhe kryetarin e komisionit për të pagjeturit, na kanë akuzuar çka, pse nuk po bëhet asgjë. Çka ndodhi, çka kemi parë, kemi parë, çfarë gjenocidi u bë ndaj neve u pa, ndaj fëmijëve tanë u pa, ku janë marr pe dimë, edhe ku janë dërguar pe dimë. Tahiri tha se janë në dosje të ushtrisë serbe edhe ato i kemi disa prej MUP-it serb, i kem vendet, i kemi skicat, i kemi varrimet, por nuk po gjejmë rrugë se si t’i shtyjmë ndërkombëtarët të bëjnë një presion me të madh ndaj kriminelëve serb të cilët e udhëheqin ende Serbinë”, tha Qerkinaj, raporton KosovaPress.

Edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjnë me shumë që të shuhet ankthi i familjeve shqiptare.

“Thash këtë ditë e shfrytëzojmë për ndërime por edhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtarë që ende edhe pas 15 viteve ballafaqohemi me këtë dhembje dhe këtë problem dhe ende na mungojnë shumë persona të cilët janë zhdukur në periudhën e luftës”, tha Gjetaj.

Mirëpo, zëvendëskryeministrja në detyrë e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri theksoi se Qeveria e vendit do të angazhohet maksimalisht deri në zbardhjen e personit të fundit.

Ajo ka akuzuar Serbinë se po i mbanë të fshehur vendet ku i ka dërguar trupat e shqiptarëve të vrarë, për të mbuluar krimin e bërë.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dëshiroj t’iu garantoj përkushtimin tonë maksimal që nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie dhe që secili i pagjetur dhe gjithë familjarët që janë në pritje për shumë vite zbardhjen e familjarëve të pagjetur me në fund të kenë informacione”, tha zëvendëskryeministrja Tahiri.

Ndërsa, Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku tha se komuna që ai udhëheq doli me 200 të pagjetur, ku ende nuk është zbardhur fati i të gjithëve, duke i lënë familjet e tyre në ankth tash e 15 vite.