Familjarët e qytetarëve turq priten në Zyrën e Kryeministrit

"Me mbështetjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të institucioneve përgjegjëse do të bëjmë ç ‘është e mundur për hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës lidhur me operacionin e ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq", ky ishte mesazhi që shefi i Stafit të Kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, gjatë takimit ju përcjelli familjarëve të personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Lajme

30/03/2018 14:10

“Kryeministri Ramush Haradinaj pas paqartësive të krijuara dhe mosinformimit në kohë të duhur lidhur me këto zhvillime, në bazë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese sot ka ndërmarrë hapat e nevojshëm duke liruar nga detyra Drejtorin e AKI-së, Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj”, tha z.Arifi.

Gjatë takimit familjarët u informuan për gjithë këtë situatë të krijuar dhe morën zotimin se do të sqarohen të gjitha të panjohurat lidhur me këtë rast.